Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, tashmë, krahas rezultateve të kënaqshme në mësime, duke qëndruar përherë në krye të kalueshmërisë në shkallë kombëtare dhe aktivitete të tjera shkollore, talentin e tyre e kanë shprehur përherë edhe në fushën e sportit. Kështu, falë mësimdhënësve të Edukatës Fizike dhe Sportit, ata vazhdimisht përfshihen në aktivitete sportive, duke zënë vende të merituara në garat e niveleve komunale, regjionale e republikane, raporton Gazeta Online Veriu.info
Kështu, duke e vërejtur talentin e madh të këtyre nxënësve, profesori i Edukatës Fizike dhe Sportit Safet Shalaku, në sezonin 2000/01, bëri hapjen e Shkollës së Basketbollit, e para e këtij lloji në Komunën e Vushtrrisë. Interesimi i nxënësve për përfitimin e njohurive të para të lojës së basketbollit asokohe ishte shumë i madh me ç’rast edhe i morën hapat e parë të lojës së basketbollit.
Duke parë përparimin e tyre në këtë veprimtari, grupi i profesorëve: Safet Shalaku, Naim Hyseni, Basri Xhaferi, Shaban Krasniqi, Xhevat Lahu, Hysen Ademi, etj., vendosën të themelojnë Klubin e Basketbollit, atëbotë me emrin “Kosova (V)”. Fillimisht trajnues u emërua profesori Safet Shalaku, kurse asistent profesori Hysen Ademi. Në fillim të vitit 2004, Klubi u regjistrua në Kuvendin Komunal dhe po atë vit filloi garat në Ligën e Dytë të Kosovës, i cili, me punë sistematike, me angazhim maksimal e disiplinë përkushtuese, arriti deri në Superligën A të basketbollit të Kosovës.
Prandaj, riaktivizimi i këtij klubi, me emrin e ri “Gjimnazisti”, shënon një fitore të re në vazhdimin e sukseseve të sportistëve të Gjimnazit tone, të komunës së Vushtrrisë e mbase edhe më larg. Duke u nisur nga të gjitha këto, ftojmë të gjithë të interesuarit, të rinjtë nga mosha 6-16 vjeçare, që pa hezitim të anëtarësohen në këtë klub, bënë thirrje Bordi i KB “Gjimnazisti”. Padyshim se sukseset nuk do t’u mungojnë, ngase ata do të trajnohen nga mësimdhënës ekspertë të kualifikuar dhe se edhe salla e Gjimnazit, ku ushtrojnë dhe zhvillojnë aktivitetet, i plotëson të gjitha kushtet e parapara me rregulla bashkëkohore sportive. /Veriu.info/.