Në kuadër të konsultimeve me publikun para hartimit të buxhetit komunal për vitin 2019 dhe Kornizës buxhetore 2019-2021, Komuna e Vushtrrisë sot ka mbajtur dëgjim buxhetor për qytetin e Vushtrrisë, ku qytetarët kanë bërë propozimet për prioritet buxhetore.
Blerim Ibrahimi, aktivist nga shoqëria civile ka propozuar që komuna të ndaj më shumë mjete për gjelbërim dhe hapësira publike në dispozicion të qytetarëve, ku ta kalojnë kohën e lirë. Po ashtu ai ka kërkuar nga institucionet e Komunës që në kuadër të këtij procesi në prioritet buxhetore të përfshijnë sa më shumë kërkesa të qytetarëve. Ai ka thënë se shoqëria civile do të jetë në monitorim të këtij procesi por edhe zbatimin e projekteve që kanë propozuar qytetarët, transmeton Veriu.info.
Po ashtu Ibrahim Jonuzi, ka kërkuar që të bëhet ndriçimi publik dhe ndërtimi i trotuareve në në lagjen ku ai jeton në Veri të qytetit. Ndriçim të rrugëve ka kërkuar po ashtu edhe qytetari Leutrim Latifi. Ndërsa Hysen Ademi, ka kërkuar që përveç klubeve sportive komuna të ndaj mjetet edhe për përkrahjen e aktiviteteve sportive në shkolla të Vushtrrisë, të cilat po tregojnë rezultate të larta në gara në nivel të Kosovës por edhe Ballkanike. Ismajl Haziri, qytetarë në lagjen Kalaja të qytetit ka bërë propozimet për ndërtimin e rrugëve por edhe ndriçimit në lagjen e tyre.
Në këtë takim të drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Komitetit për politikë e financa të Kuvendit drejtuesit e Komunës, kryetari Xhafer Tahiri dhe nënkryetari Besim Muzaqi si dhe qeveria lokale. Në fjalën e tij, kryetari Xhafer Tahiri ka ftuar qytetarët që të jen sa më aktiv me propozimet për buxhet por edhe në përgjithësi në kontrollin e punës së Komunës por edhe të jen aktiv në procesin e vendimmarrjes. Ai ka thënë se Komuna është e përkushtuar në ndarjen sa më të drejtë të buxhetit dhe se qyteti do të jetë prioritet i investimeve komunale, pa lënë anash edhe pjesët rurale.
Në javën që shkoi janë mbajtur edhe 14 takime në bashkësi vendore dhe fshatra në gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, ku qytetarët kanë dhënë propozimet për ndarjen e buxhetit dhe financimin e projekteve në qytet e fshatra. /Veriu.info/.