Futbollistët shqiptarë të Zvicrës, me origjinë nga Kosova, u ndëshkuan nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA sepse festuan shënimin e golave duke bërë shqiponjën me duart e tyre, por nuk e dinë nëse veprimi i tyre do të jetë i sanksionuar edhe në të ardhmen nëse përsëritet.
“Misteri” i këtij dënimi qëndron tek vendimi i FIFA-s i cili nuk është bërë ende publik dhe si i tillë po e pamundëson analizën e vërtetë të këtij vendimi që ishte në dëm të dy lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.
Sipas juristëve dhe njohësve të çështjeve që kanë të bëjnë më sportin, me mos transparencë, FIFA po lë të nënkuptohet se vendimi mund të jetë i ndikuar politikisht.
Për juristen Flutura Kusari, vendimi i FIFA-s për dënimin e lojtarëve që festuan duke bërë shqiponjën, është i papranueshëm. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se mund të ngrihen dyshime edhe rreth ligjshmërisë së këtij vendimi.
“Për fat të keq është vendim politik. Momentin kur ka ndodhur, kemi pasur përballje të jashtëzakonshme, e sidomos për shkak të historisë tonë me Serbinë dhe si duket FIFA e ka bërë në mënyrë që pak të qetësojë gjakrat në mes të të dy palëve, por kjo nuk duhet ta udhëheqë punën e FIFA-s. FIFA duhet të vendos sidomos në favor të lirisë së shprehjes”, thotë Flutura Kusari.
Lojtarë nga mbarë bota, bëjnë gjeste të ndryshme festimi, ndërkaq me rregullat e FIFA-s ndalohen festimet fyese dhe paraqitjet mbi baza raciste. Por, te rasti i futbollistëve të Zvicrës, me origjinë nga Kosova, nuk janë identifikuar gjeste të tilla.
Vendimi i FIFA-s, sipas Flutura Kusarit, është jashtëzakonisht kufizues dhe krijon efekte frenuese tek lojtarët ashtu që në të ardhmen ata të mos guxojnë të festojnë në mënyrën e njëjtë duke bërë shqiponjën.
“Shqiponja rrjedh prej shenjës në flamurin e Shqipërisë dhe është e papranueshme ligjërisht që një shtet i njohur ndërkombëtarisht, një flamur i pranuar në lojërat ndërkombëtare, të mos lejohet që të përdoret si shenjë për të festuar”, thotë Flutura Kusari.
Ndalimi dhe dënimi i festimit me simbolin e shqiponjës cilësohet i papranueshëm edhe nga juristi Fisnik Salihu. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se FIFA duhet të jetë e barabartë me të gjithë.
“Normalisht që kjo është çështje subjektive dhe varet nga perceptimi që e kanë organet që marrin këto vendime sepse përderisa për njërën palë veprime të tilla gjatë gëzimit dhe shprehjes së gëzimit në evente sportive, për palën tjetër mund konsiderohen gjeste nacionaliste”, tha Salihu.
Vendimi i FIFA-s për dënimin e lojtarëve të Zvicrës, sipas tij, mund të jetë i ndikuar nga shteti i Serbisë.
“Ka qenë i ndikuar edhe nga propaganda e Federatës së Serbisë dhe opinionit publik, dhe në këtë kuadër, ky gjest i këtyre dy lojtarëve është konsideruar si nacionalist dhe në raste të tilla, gjykata në kuadër të rregullave të brendshme në raste të caktuara mund të ndërmarrë veprime disiplinore ndaj lojtarëve që i shkelin ato”, tha Fisnik Salihu.
Para dy javësh, pas ndeshjes Zvicër-Serbi në kampionatin Botëror që po mbahet në Rusi, lojtarët nga Kosova që luajnë për Zvicrën, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka festuan duke bërë shqiponjën me duar, pas shënimit të golave që i dhanë edhe fitoren ekipit të tyre.
Ky veprim i tyre, nxiti shumë reagime, duke bërë madje që ata dhe kapiteni Stephan Lichtsteiner, i cili po ashtu kishte festuar me shqiponjë, të dënohen nga FIFA.
Tre lojtarët e Zvicrës, që tashmë është eliminuar nga kampionati Botëror, u dënuan me 25 mijë franga.
Por, për më shumë sesa dënimi, mbetet dilemat dhe pikëpyetjet e shumta tek lojtarët se a do të guxojnë në të ardhmen të festojnë duke bërë shqiponjën me duar, apo ky lloj festimi do të ndalohet edhe në të ardhmen./Veriu.info/.