Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në Polac të Skenderajt, ku për pasojë ka humbur jetën një person, shkruan gazeta online Veriu.info.
“Aksidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Skenderaj – Drenas, segmenti rrugor fshati Polac. Në aksident ishin të perfshira një traktor dhe një veturë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë drejtuesi i traktorit Z.G., 56 vjeçar, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe drejtuesi i vetures i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti për Veriu.info.
Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje nga hetuesit e njësisë së trafikut rajonal, bëhet e ditur se si shkaktar dyshohet të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të traktorit, i cili është kyçur në mënyrë të pa sigurt nga rruga anësore në rrugen kryesore, me ç’rast ndeshet me veturën e llojit Tauran, ku shkakton aksident trafiku me fatalitet.
Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion./Veriu.info/.