Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, në një publikim të bërë në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se Azem Vllasi, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi janë tri personalitetet që kanë shënuar katër dekadat e fundit në Kosovë.
Spahiu shkruan se të këta të tre posedojnë filozofitë dominuese në Kosovë. Për Vllasin thotë se ka udhëhequr Kosovën në filozofinë e bujkut. Për Rugovën thotë se kishte filozofinë e bariut, ndërsa për Thaçin shkruan se po udhëheqë Kosovën me filozofinë e cubit, transmeton Veriu.info.
Spahiu duke marrë si shkas filozofitë e këtyre tri personaliteteve, shkruan se nuk është e habitshme që ato dominuan në vend, kur profesionet dominante të shqiptarëve janë cubëria, bagëtia e bujqësia.
Lexoni të plotë reagimin e tij:
Tri personalitetet që shënuan 4 dekadat e fundit në Kosovë janë Azem Vllasai, Ibrahim Rugova, dhe Hashim Thaçi. Te tre keta posedojnë filozofitë dominuese në Kosovë.
Azem Vllasai ka udhehequr Kosovën me filozofinë e bujkut. (Zaten edhe baba i tij këtë e ka vërejtur herët dhe nuk ka dashtë me lanë me shku në shkollë deri sa ka pa se është nxënës shembullor se ka menduar se është i mirë për bujk.). Azemi ka pasur durimin që të pret që proceset politike të piqen, t’i japin frytet e tyre qe pastaj t’i vjelë ato. Në fakt frytet kryesore politike ia hëngri të verdha Millosheviqi të cilit më vonë iu mpinë dhëmbët).
Ibrahim Rugova kishte filozofinë e bariut. Per bariun koha nuk ka rendesi, për të e rëndësishme është me e ruajtë grigjen. Dhe Rugova në kohën e kasaphanës ballkanike arriti ta ruaj grigjen (popullin e Kosovaës) me viktima minimale kundrejt rrezikut të llahtarshëm.
Hashim Thaçi udhëheqë Kosovën me filozofinë e cubit. Ai nuk mbjell asgjë (sic mbillte Vllasi) as nuk ruan asgjë (sic ruante Rugova), ai thjesht përvetëson frytet e gatshme.
Kur ndalet e mendon njeriu, sheh se tri profesionet dominante të shqiptarëve janë: cubëria, bagëtia e bujqësia atëherë nuk ështe e habishme që këto filozofi dominuan Kosovën në 4 dekadat e fundit./Veriu.info/.