Njësitet e Policisë së Kosovës të stacionit ‘Jugu’ në Mitrovicë, kanë arritur të konfiskojnë një armë zjarri pas raportimeve se janë dëgjuar të shtëna gjatë një ahengu.
Rasti sipas raportit ka ndodhur në rrugën ‘’Beteja e Koshars’’, vend i identifikuar si lokacion ku ishin dëgjuar të shtënat gjatë festimit.
‘’Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari H. M., 57 vjeçar, është konfiskuar një armë e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se i dyshuari e ka shkrepur në aheng familjar.
Pas procedurave intervistuese i dyshuari me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për vepër penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës’’’, thuhet në komunikatën e dërguar.
Policia apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje dhe dasma është i sanksionuar me ligj.