Para dy ditëve, bashkë me familjen, kishte marrë rrugën nga Austria për në Kosovë. Por, me të ardhur në vendlindje, 27-vjeçari, Arlind Dudi, ia mori jetën vetes. Familja thonë se janë të shokuar nga ky rast dhe se nuk i dinë motivet e kësaj ngjarjeje. Tregojnë se i biri muaj më parë kishte qenë duke përdorur terapi kundër depresionit. Babai i të ndjerit, Agimi, ka dhënë detaje nga kjo ngjarje e rëndë. Këtë rast policia e Kosovës po e konsideron si ‘vdekje e dyshimtë’.
Arlindi, 27- vjeçar kishte vite që jetonte ne Austri me familje. Por, para dy ditëve ai bashkë me prindërit, mori rrugë nga Austria për në Kosovë ku kishin vendosur që t’i kalonin pushimet e verës.
Por, pushimet e familjes Dudi nga fshati Llaushë, komuna e Podujevës, nuk zgjatën shumë. Pushimi, kësaj familjeje, iu kthye në tragjedi. Djali i madh, Arlindi, e mbyti veten në oborrin e shtëpisë në vendlindje.
Babai i Arlindit të ndjerë, Agimi, ka dhënë detaje të dhimbshme për këtë rast. Ai shpjegon se si ndodhi e gjithë ngjarja.
“Na gjithë ditë dje kemi qëndruar këtu me Arlindin. Ne si gurbetqar që jemi u mundojsha me i tregu pak për qytetin edhe vendin këtu me e njoftu me njerëz. Si ndodhi, nuk e dimë as ne, është e papritur e pabesueshme”, rrëfen babi i të ndjerit për Express.