Nesër bëhen gjashtë muaj që nga vrasja e liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Dy muaj pas vrasjes së tij, hetimet për zbardhjen e krimit i mori në dorë Prokuroria Speciale e Kosovës.
Nënkryetarja e partisë të cilën dikur e drejtonte Ivanoviq, Ksenija Bozhoviq i ka thënë agjencisë së lajmeve “Beta”, se askush nga familja apo miqtë e Ivanoviqit nuk ka marrë ndonjë informacion të ri nga hetimet lidhur me rastin.
“Ndërsa koha po kalon, ne po e shohim se e vërteta nuk i përshtatet as Qeverisë së Kosovës e as asaj së Serbisë, mirëpo as komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Bozhoviq.
Tutje, ajo tha se sipas saj nuk ekziston vullneti që e vërteta mbi vrasjen e Ivanoviqit të zbardhet .
“Është e qartë që nuk ka vullnet politik, sepse siç duket fajtori qëndron prapa tyre. Nuk shoh ndonjë arsye tjetër”, u shpreh ajo.
Siç thotë Bozhoviq, i vetmi zhvillim i ri në këtë drejtim është takimi mes hetuesve nga Prishtina dhe Beogradi.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të këtij viti përpara zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut./Lajmi.net/Veriu.info/.