Qindra artifakte greko-romake dhe anije të mbytura nga lashtësia që shtrihen gjatë bregut pothuajse të paeksploruar shqiptar janë në rrezik të bien prè e grabitësve apo gjahtarëve të thesareve nëse nuk mbrohen siç duhen, paralajmërojnë kërkuesit dhe arkeologët.
James Goold, kryetar i RPM Nautical Foundation me bazë në Florida, thotë se objektet – që datojnë nga shekulli i tetë para Krishtit deri në Luftën e Dytë Botërore – do të ishin një tërheqje e madhe për turistët nëse do të shfaqeshin në muzè.
RPM ka bërë hartën e shtratit të Jonit nga kufiri me Greqinë deri në Gjirin e Vlorës, duke gjetur të paktën 22 anije të mbytura nga lashtësia deri në L2B dhe qindra amfora të lashta. Enët e gjata të ngushta prej qeramike përdoreshin për mbajtjen e vajit të ullirit dhe verës që transportohej me anije nga Afrika e Veriut në Perandorinë Romake, me Shqipërinë (Ilirinë) si nyje trafiku.
“Ka ardhur koha të ndërtojmë një muzé për turistët shqiptarë e të huaj”, thotë arkeologu Neritan Ceka.
Disa amofra mund të jenë marrë ndërkohë, pamja e tyre si objekte zbukurues të restoranteve përgjatë bregut shqiptar nuk është gjë e rrallë.
Shqipëria po përpiqet të kapitalizojë me trashëgiminë e saj të pasur nënujore, e neglizhuar gjatë nga regjimi komunist, por mbrojtja e saj ende merr fonde shumë të vogla nga qeveria në njërin prej vendeve më të varfra të Evropës.
Mbërritja e anijes kërkimore të RPM, “Hercules”, 11 vjet më parë, ishte një “revolucion i vërtetë”, thotë Ceka, duke lëvduar zhytësit e saj profesionalë, sonarin e teknologjisë së lartë dhe mjetet nënujore të telekomanduara.
Ekspedita e RPM dhe një e përbashkët shqiptaro-italiane janë të vetmet përpjekje shkencore nënujore në Shqipëri deri tani, të dyja me miratimin e qeverisë.
Tani RPM beson se është koha që Instituti i Arkeologjikës Nautike (INA), një organizatë kërkimore jofitimprurëse me bazë në Teksas, të studiojë mundistë e nxjerrjes së anijeve të mbytura, një proces i shtrenjtë financiarisht dhe delikat shkencërisht.
“Mjedisi është special në Shqipëri, sepse bregu ka qenë shumë i mbrojtur për shumë vjet”, thotë David Ruff, ish-komandant i një nëndetëseje me reaktor bërthamor, tani me INA.
Ruff thotë se “një nga perlat e vërteta të Shqipërisë është Butrinti”, një zonë greko-romake e mbrojtur nga UNESCO.
Ai shton se anija kërkimore e INA-s, Virazon II, do të qëndrojë për një muaj në ujërat shqiptare “për të kuptuar bregun e Shqipërisë dhe nëse mund të kryejmë një gërmim në shkallë të madhe atje”.