Kronika e Klan Kosovës me një 11 vjeçar duke vozitur autobus, ka bërë që rasti të përfundojë në Prokurori. Nga Policia e Kosovës, rajoni në Gjakovë, ka thënë se rasti do të procedohet më tutje në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Edhe nga Klan Kosova, kanë një përgjigje për këtë.
Një kronikë e realizuar nga Klan Kosova, ku shihet një 11 vjeçar duke vozitur autobusin, ka bërë që Policia e Kosovës të nis hetimet ndaj familjarëve të fëmijës.
Olti Gjoshi, 11 vjeçar, shihet në kronikë duke vozitur autobusin në rrugët e një fshati në Gjakovë, përkatësisht rrugës pranë familjës Gjoshi.
Policia e Kosovës, pati konfirmuar javën e kaluar, se me të parë këtë kronikë, do të ftoheshin për intervistim personat përgjegjës për rastin.
“Nesër do të ftohen familjarët e tij në Stacionin e Policisë në Gjakovë, dhe do të shtjellohet kjo çështje se çfarë do të bëhët me tutje” ka thënë për Periskopin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirie Beqiraj.
Ndërkohë, Beqiraj ka konfirmuar se rasti është hapur në Prokurori.
“Ju njoftoj se Policia e Kosovës nga stacioni policor në Gjakovë, me të marrë informacionin mbi sjelljen joligjore në rastin konkret, kanë marrë masat e nevojshme në identifikimin e personave dhe në bashkëpunim me prokruorin e shtetit, ndaj tyre është inicuar rast penal. Rasti i kompletuar do të proceduhet më tutje në prokurorinë themelore në Gjakovë”, ka thënë Beqiraj.
Nga Klan Kosova, shprehin keqardhje për këtë, duke thënë se idea nuk ka qenë të promovohet diçka e jashtëligjshme, por të paraqitet talenti i 11 vjeçarit.
Blerim Xhemajli, kryeredaktor në Klan Kosova, ka thënë se ‘duke pasur parasysh që ka fëmijë të cilët dinë të ngasin vetura dhe mjete tjera, ka qenë interesant informacioni se diku në Kosovë një fëmijë di të ngasë edhe autobusin’.
Ai ka thënë se kanë qenë familjarët ata që kanë propozuar që 11 vjeçari të tregojë talentin e tij nëpër rrugët e fshatit dhe duke sqaruar tutje idenë e kronikës, ka shtuar se ‘atë ditë rastësisht kanë kaluar dy vetura në anën tjetër’. Xhemajli pranon se kjo është pasqyruar keq në sytë e publikut.
“Idea ka qenë më shumë për kuriozitet. Në paraqitje ka qenë për me demonstru aftësinë e një djali kaq të ri që ti të vozisë autobusin. Meqenëse nuk ka pasur kushte të bëhet diku tjetër, demonstrimi është bërë në një rrugë të fshatit. Pak i ka ra një hije e keqe edhe kronikës dhe në paraqitje nuk është dalë në mënyrën më të mirë. Në demonstrimin e asaj dite, kanë qenë dy vetura që kanë kaluar”, ka thënë Xhemajli për Periskopin.
Duke ndjerë keqardhje dhe duke elaboruar qëllimin e kronikës, Xhemajli thotë se Policia e Kosovës mund ta kryejë punën e saj.
“Ata (familjarët v.j) na kanë treguar se nuk dalin në rrugë me autobus. Nëse policia dojnë ta hetojnë, është punë e tyre. Idea fillestare ka qenë qysh një 11 vjeçar nget një autobus. Në pasqyrën e shikuesve kjo nuk ka dalë mirë natyrisht pasi që djaloshi shihet duke vozitur autobusin në një rrugë të frekuentuar”, thotë Xhemajli.
Reagime të shumëta ka pasur ndaj kësaj kronike, sidomos në kohën kur janë shtuar aksidentet me fatalitet në Kosovë. Ka qenë edhe vetë Policia e Kosovës, e cila ka dalë me një apel para pak ditësh, ku u kërkon vozitëve në Kosovë që jenë më të kujdesshëm. E kjo, ka qenë një nga arsyet që ka shtyrë reagime të mëdha, se si promovohet një 11 vjeçar duke vozitur një autobus.