Pas dekorimit të drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiut, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në asnjë debat që udhëhiqet nga Haxhiu.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Tinka Kurti duke kritikuar dekorimin e Haxhiut, ajo ka thënë se Vetëvendosje do të refuzojë pjesëmarrjen në emisionet ku udhëhiqen nga Haxhiu.
“Tani që raporti PDK-Baton Haxhiu u kurorëzua me medalje presidenciale, për Lëvizjen është e qartë që ky raport duhet të neutralizohet duke e defaktorizuar shërbyesin. Këtë do ta bëjmë duke refuzuar çdo bashkëpunim me çdo emision që moderohet nga Haxhiu”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kurti më tej ka shkruar se “pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim”
“Zakonisht pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim. Kështu e kërkon edhe natyra e punës së agjentëve, por meqë Haxhiu po e bën tash e sa kohë mbrojtjen e shërbimin haptas për PDK-në atëherë edhe Thaçi po ia kthen këtë nder në formë krejt transparente, para kamerash”.
“Gazetarët nuk do të duhej të pranonin medalje nga një president i tillë siç është Thaçi, por meqë e ka filluar, ne e inkurajojmë Hashim Thaçin që të dekorojë edhe të tjerë dhe kështu na e bën edhe më të qartë se cilët janë oborrtarët e tij”, ka shkruar ajo./Insajderi/.