Një ekspozitë e re zbulon se si artisti i famshëm huazoi teknika nga printimet japoneze dhe se si i inkorporoi në portretet e tij, shkruan Alastair Sooke, transmeton Telegrafi.
Në shkurt 1888, Vincent Van Gogh u largua nga Parisi, ku jetonte qe disa vjet, dhe u nis për në qytetin Arles në Provence të Francës jugore. I lodhur nga koha e kaluar në metropol, kërkonte jetë më të thjeshtë që do të ringjallte si veten ashtu edhe artin e tij.
Ai e shihte rrethin e tij të ri përmes prizmit të një vendi të largët: Japonisë.
Kur arriti në Arles, reshjet e mëdha të borës kishin transformuar ambientin. Fushat e bardha ia kujtonin “peizazhet e dimrit” të artistëve japonezë.
“Gjithmonë them me vete se këtu jam në Japoni”, i shkroi motrës së tij, në shtator 1888. “Veç duhet të hap sytë dhe të pikturoj”.
Dy javë më vonë i tha vëllait të tij: “Moti është akoma i mirë këtu dhe nëse do të ishte gjithmonë kështu do të ishte më mirë se parajsa e piktorëve – do të ishte krejt Japonia”.
Sipas Galerisë Kombëtare të Artit në Uashington, “Arles ishte ‘Japonia e Jugut’. Atje ndjeu se dielli do të forconte skajet e kompozimeve dhe do të reduktonte nuancat e ngjyrës në kontraste të gjalla”.
Duke lexuar letrat e Van Goghut, bëhet e qartë se Japonia ka pasë domethënie magjike dhe mistike për të. Në imagjinatën e tij, Toka e Lindjes së Diellit ishte burim hiri dhe mirëqenieje, një utopi e bekuar. Van Goghu dhe Japonia – ekspozita e madhe në Amsterdam – përcakton se përse ky vend i largët lindor që artisti kurrë nuk vizitoi kishte ndikim në imagjinatën e tij dhe ndikonte në artin e tij./Telegrafi/.