Duket se fakti që i ka bërë të jenë në një ekip të përbashkët në formacionin e Kadri Veselit për lobimi e liberalizimit të vizave për kosovarët ka bërë që të gjithë shoqëruesit e tij të shkyçen nga Kosova.
Të udhëhequr nga Kadri Veseli një delegacion i Kosovës do ta vizitojë Austrinë. Atje synim i tyre do të jetë lobimi për liberalizimin e vizave të Kosovës. Si shoqërues të Veselit pritet të marrin pjesë edhe shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe deputetin e Vetëvendosjes Glauk Konjufcën, raporton Insajderi.
Përveç tij në këtë udhëtim zyrtar janë të ftuar edhe Aida Dërguti nga PSD, Teuta Rugova nga LDK, Evgjeni Thaçi Dragusha nga PDK, Time Kadrijaj nga AAK, Adem Hodza nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga KDTP.
Insajderi ka provuar t’i kontaktoj shoqëruesit e Veslit por ata të gjithë i kanë pasur telefonat e shkyçur. Komunikimi me Konjufcën, Dërgutin, Rugovën, Thaçi – Dragusha dhe Kadrijajn ka qenë i pamundur për shkak të shkyçjes së telefonave të tyre me Kosovën.
Përkundër qëndrimeve të kundërta dhe akuzave të shpeshta të Vetëvendosjes ndaj PDK-së, duket se edhe Konjufca i është bashkuar këtij udhëtimi. Se Konjufca ka refuzuar këtë takim nuk kanë qenë në dijeni as deputetët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët për Insajderin kanë deklaruar të mos kenë informacion nëse Konjufca ka refuzuar apo ka pranuar këtë udhëtim si shoqërues i Veselit.
Në anën tjetër gjatë ditës së sotme Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do ta refuzojë “turin turistik lobues”të Veselit në Austri.
“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Madje sipas njoftimit të LDK-së, kjo parti nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare për qëllimin e këtij udhëtimi.
“Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Nuk është e qartë ende nëse këtij ‘urdhri’ të partisë do ta mbështes edhe Teuta Rugova, deputetja e LDK-së e cila është e ftuar për këtë vizitë. Ajo në të kaluarën kishte ditur të merrte vendime individuale kundër partisë në të mirë të PDK-së.
Një vendim të tillë e kishte marrë kur ishte pozicionuar pro votimit të Qeverisë Haradinaj dhe kundër partisë së saj që do ta linte LDK-në në opozitë gjatë kësaj legjislature, shkruan Insajderi.
Në takim me homologun austriak, Kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës pritet të zhvillojë takime edhe me Kryetaren e Grupit Parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë si dhe takime tjera me zyrtarë të shtetit austriak.
Gjatë vizitës zyrtare në Austri, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetët kosovarë do të marrin pjesë edhe në Forumin Ekonomik Austri-Kosovë të cilin e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë./Insajderi.com/.