Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kritikuar pushtetin e kaluar në qytet, atë të PDK-së, për rrënimin e pjesshëm të Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”.
Ai, në “Interkativ” të KTV-së ka thënë se “pushteti i PDK-së në fund të mandatit të kaluar ka shpallur tenderin për rrënimin e Shtëpisë së Kulturës, dhe me 15 dhjetor, pak pasi ta marrim ne pushtetin e ka shpallur përfituesin e tenderit për rrënimin e një pjese të këtij objekti”.
“E mira, nëse mund të themi se ka diçka të mirë aty, është se po ndërtohet prapë një qendër e kulturës, e jo siç ka pasur të ndodhë një objekt banesor”, ka thënë Tahiri, derisa ka treguar se objekti i ri do të jetë në shërbim të artistëve dhe të rinjve të qytetit, e ku do të ketë hapësirë për arkivin, për bibliotekën, salla leximi e të tjera hapësira.
Ai ka thënë se ka bërë atë që ka mundur të bënte në këtë aspekt, ani pse premtimi i tij ishte që ky objekt i moçëm nuk do të rrënohet.
“Ne kemi diskutuar me KRPP-në dhe me Ministrinë e Kulturës për të parë mundësitë e anulumit të këtij tenderi. Në dijen tonë më të mirë, si dhe në përgjigjet që kemi marrë nga KRPP-ja dhe MKRS-ja nuk ka pasur mundësi tjetër pos ta zbatojmë atë kontratë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka folur edhe për emërimin e vëllait të tij si shofer personal.
“Kam thënë se do të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe ashtu ka qenë. Ai ka dhënë dorëheqje dhe më nuk është më shofer i imi”, ka thënë ai.
Tutje, Tahiri, ka folur edhe për Kalanë e qytetit, për t’iu kthyer sërish kritikave për PDK-në.
“PDK-ja kishte plane që ky monument të kthehet në biznes privat për njerëz të afërt me pushtetin. Kemi ndërprerë 5 kontrata që janë dhënë në kohën e fushatës. Tani më Kalaja është e hapur dhe është në funksion të qytetarëve. Kemi vendosur një person që kujdeset për Kalanë dhe do të vendosim edhe një ciceron i cili do të rrëfejë për historinë e Kalasë së Vushtrrisë”, ka thënë ai, teksa ka folur edhe për një plan konkret të menaxhimit të turizmit në qytet.
Tahiri flet për problemet me të cilat po ballafaqohet Vushtrria, premton zgjidhje
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur për problemet e fundit me të cilat u ballafaqua ky qytet, por shprehet optimist se të gjithave së shpejti do t’ju gjendet zgjidhje.
Tahiri ka thënë se sa i përket degradimit urban, kjo ekziston si pasojë e qeverisjes së kaluar.
“Kemi bërë matje të të gjitha ndërtimeve, kemi rezultuar se ka pas ndërtim të tepërt në urbanizëm dhe s’janë respektuar kriteret për ndërtim. Tani kemi vendos një profesionit, që s’vjen nga politika, dhe është profesionist i arkitekturës. Bashkë, qytetit do t’i japim pamje urbanistike. Ka shpresë që qyteti gradualisht do merr kahje në zhvillimin modern, por njëkohësisht do ruhet ajo tradicionalja”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.
Tahiri tha se do punësojnë edhe një këshilltar për qytetarët, që sipas tij, do mbajë debate dhe qytetarët do informohen në kohë reale për çdo plan urban.
Në mbledhjen e ardhshme, ai tha se pret të votohet edhe për harta zonale.
Për sa i përket ndriçimit publik dhe qenve endacakë, ai tha se në Vushtrri s’është investuar sa duhet.
“Për vitin e ardhshëm do rrisim buxhetin. Problemi me qentë endacakë është kudo, por në Vushtrri më e theksuar sepse kemi fabrikën e qenve, që tërheqë më tepër qentë endacakë. Ne paguajmë 33 euro për trajtimin e një qeni, në qytetet tjera kjo kushton 28 euro”, tha ai duke shtuar se shpreson shpejt të ketë zgjidhje.
Edhe për keqpërdorimet e ujit, Tahiri premton zgjidhje.
“Do hulumtojmë fillimisht keqpërdorimet në ujësjellës. Po vazhdojmë të dalim në terren me task-forcën e madje do ketë edhe gjoba për ata që e keqpërdorin ujin”, tha Tahiri.
Këto ditë ai tha se Vushtrria pati probleme me ujë. Qytetarët thotë se po i përgjigjen mirë pagesës së ujit. Por, është optimist që shpejtë të arrijnë dhe mos të kenë më probleme me ujë.
Për zonën ekonomike, thotë ka qenë pjesa kryesore e planeve të tij. Kjo zonë, Tahiri thotë se ka 14 hektarë ku synojnë të vendosin biznese të ndryshme. Thotë se investitorët nga Gjermania e shumë vende tjera, kanë shprehur interesim për të investuar, madje edhe kompanitë vendore.
“Do bëjmë çdo gjë që të kemi vetëm biznese që krijojnë mundësi për vende pune, madje deri në 1 mijë vende pune”, tha ai.
Qeverisja me AKR-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri, ai thotë se është shumë pozitive.
“Qytetarët i besuan këtij koalicioni të ri. Jemi udhëheqja më e re në moshë në tërë Kosovën”, tha ai, duke shtuar se po bashkëpunojnë shumë për të mirë të qytetarëve dhe nuk kanë asnjë problem mes vete, si parti të ndara.
Tahiri tha se jeton në Prishtinë pasi këtu nisi karrierën, por jo pse nuk e sheh të arsyeshme jetesën në Vushtrri.
“Asnjëherë s’kam pasë as ëndërr të bëhem kryetar i Vushtrrisë. E kam vazhduar jetën time në Prishtinë sepse këtu kam nisur punën. Prishtina e Vushtrria janë shumë afër. S’ka ndodh të më shkruajnë qytetarët e Vushtrrisë e të mos u përgjigjem brenda 24 orëve. Jam në orën 8 në punë e madje punoj edhe pas orarit të punës”, tha ai.
Humbja e Stacionit të Autobusëve, ai tha se ka ndodhur nga neglizhenca e qeverisjes së kaluar, të cilët sipas tij, s’ishin të interesuar në qeverisjen publike.
“Brenda mandatit do caktojmë lokacionin dhe do themelojmë kompaninë publike të Stacionit. Do të fillojmë ta ndërtojmë stacionin sepse është i rëndësishëm për qytetarët”, përfundoi ai.
Ka thënë se ka të punësuar disa persona me kontrata mbi vepër, por e ka arsyetuar këtë me nevojën për kryerjen e disa punëve. Ka thënë se administrata në Komuna vuan nga mungesa e stafit./Koha.net