Projektligji për mësuesit e viteve të 90’ta, po vazhdon të jetë temë përplasjeje mes Sindikatës së Arsimit, ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe së fundmi, ka qenë edhe tërheqja e vërejtjes nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka zbuluar një detaj interesant për Periskopin: dikush fryu shifra para këtij institucioni lidhur me ligjin. Ai paralajmëron se nëse nuk kalon projektligji në Kuvend, nxënësit do të mbesim pa mësim në shtator, sepse do të urdhërojnë mbajtjen e grevave…
Përveç Ministrisë së Financave, kundër miratimit të projektiligjit për kompensimin e mësimdhënësve të viteve 90-ta kanë dalë edhe zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë këshilluar institucionet përgjegjëse që të mos vazhdojnë tutje me implementimn e atij projekt-ligji.
Sipas tyre një projekt-ligj i tillë do të ketë implikime të mëdha buxhetore, do të zë vendin e shumë shpenzimeve tjera të cilat janë më prioritare.
“Misioni këshilloi të mos vazhdojnë përpara me projektligjin aktual të kompensimit të mësuesve, për shkak të kostove të mëdha fiskale direkte dhe indirekte, të cilat do të rëndojnë buxhetin për shumë vite dhe do t’i zënë vendin shpenzimeve të tjera prioritare”, thuhet në deklaratën e FMN-së, të lëshuar me datë 6 qershor 2018.
Lidhur me shqetësimet e FMN-së, Ismajl Kurteshi thotë se janë të njoftuar edhe në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Kurteshi si kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një prononcim për Periskopin, ka thënë se ata si Komision nuk janë të interesuar të çojnë përpara një projekt-ligj i cili do të ngarkonte buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Miratimi i projektligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta nuk varet nga Komisioni për Arsim, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në ende nuk e kemi filluar shqyrtimin e dytë, sepse e kemi një ligj para tij. E pastaj do të merremi me këtë ligj. Kemi me e shqyrtu. Vërejtjet i kemi edhe prej GAP-it, që flet për ngarkesën që e ka buxheti i Kosovës. Natyrisht që do ta kemi parasysh edhe çështjen e buxhetit.Nuk jemi të interesuar që ta ngarkomë buxhetin e Kosovës, me diçka që nuk mund ta bartë, por natyrisht mësimdhënësit e viteve 90-ta meritojnë me i përkrahë brenda mundësive të buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kurteshi në një prononcim për Periskopin.
Megjithatë sipas Kurteshit, ekzistojnë mundësi nga buxheti i Kosovës për të ndihmuar financiarisht mësimdhënësit.
“Ky buxhet nuk është krejt pa mundësi. Mund të mos i ketë mundësitë aq sa ishte dashtë me i ndihmu mësimdhënësit, por nuk është në nuk ka mundësi me e bo një farë lloj ndihme financiare, që dëshmon edhe një lloj mirënjohje për mësimdhënësit e viteve 90-ta”, është shprehur ai.
Kurteshi ka bërë të ditur se nëse është e nevojshme do të ndryshohet projekt-ligji i sjellur nga Qeveria, megjithatë thotë që nëse ka nevojë të ndryshohet më shumë se 40 %, aq sa leojhet, atëherë Komisioni do t’i rekomandojë Kuvendi që të mos aprovohet ligji.
“Nuk do të thotë që ne do t’ia ofrojmë projektligjin Kuvendit ashtu si e ka pru Qeveria. Komisioni ka të drejtë ta andamentojë deri ne 40 % të neneve me i ndryshu. Nëse ka nevojë më shumë se 40 % , ne nuk mundemi me ndryshu më tepër, përveç se me e dergu në Kuvend, dhe me e sugjeru që mos me u aprovu ai ligj dhe me e kthy prap”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, një ligj i tillë është nënshkruar në kohë fushate, dhe në rast të mos implementimit, secila palë duhet të marrë përgjegjësinë për nënshkrimin e asaj marrëveshjeje.
“Ne do ta bëjmë punën tonë. Pastaj secili ta merr barrën e vetë mbi vete. Ata kanë bë marrëveshje në kohë të fushatave, po për këtë çështje e marrin përgjegjësinë ata, që kur e kanë bo marrëveshjen se kanë pas parasysh buxhetin. Natyrisht që kur nënshkruan marrëveshje duhet edhe me iu përmbajt asaj marrëveshje, jo vetëm me e nënshkru”, ka përfunduar Kurteshi.
E kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë të njoftuar me shqetësimet e FMN-së, por thotë se pas takimeve me ta janë sqaruar.
“E kemi përcjellë përmes mediave deklarimin e këtyreve të FMN-së, edhe pse ne paraprakisht kur përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, dalë me një mendim të tillë, ne kemi kërkuar takim me ta, dhe jemi takuar, e i kemi sqaruar shumë gjëra”, ka thënë Jasharaj për Periskopin.
“Dikush i ka krijuar shifra të fryra FMN-së lidhur me projektligjin” është shprehur kryetari i SBASHK-ut.
Jasharaj ka thënë se nëse ndodhë që projektligji të mos aprovohet atëherë ka gjasa që viti i ri shkollorë të mos fillojë, duke paralajmëruar greve.
“ Larg qoftë që të mos implementohet projektligji. Larg qoftë që deputetët të ndikohen nga deklarimet e dikujt. Uroj që ligji të votohet. Nëse ndodh më e keqja, do të vihet në pikëpyetje fillimi i vitit të ri shkollor. Nëse ndodhë e keqja, shtatori në vend të ziles do të sjellë grevë në të gjitha institucionet”, ka përfunduar Jasharaj për Periskopin.
Kundër implementimit të këtij ligji është shprehur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkohë pritet të shihet pas procedimit nga Komisioni për Arsim, se a do të marrë përkrahjen e deputetëve në Kuvend./Kosova Sot/.