Vazhdojnë rrëfimet e nënave shqiptare që kanë lindur në spitalet e Kosovës gjatë ish- sistemit jugosllav, por që foshnjat e tyre nuk i kanë parë asnjëherë, madje as kufomat e tyre.
Nënat shqiptare kanë shpresë se këta fëmijë mund të gjenden në ndonjë vend.
RTV Dukagjini ka sjellë sot një rrëfim tjetër nga një nënë e cila tregon gjithçka çfarë i ndodhi në korrik të vitit 1987, kur ajo lindi djalin e saj në Spitalin e Prishtinës.
“Kam shkuar normal te mjeku jam kontrolluar, kur ka ardhur koha në muajin e shtatë më ka lindë para kohe. Kufomë nuk më kanë dhënë, s’e kam pa fëmijën. Më kanë thënë: ‘s’ke çka e sheh, ajo është bebe e vogël, ke lindë para kohe’, dhe se është normale të vdesin në këtë kohë fëmijët”, rrëfen një grua ato momente të vitit 1987.
Gruaja tregon si ia larguan fëmijën nga sytë, shumë pak kohë pasi e lindi atë, me arsyetimin se është i sëmurë.
“Kur më ka lindë më kanë thënë e ke të sëmurë, dhe ma kanë hequr shumë shpejt para syve, ndërsa pas dy orëve më kanë thënë se beba të ka vdekur. Menjëherë pas lindjes më kanë dhënë një injeksion për gjakderdhje, edhe pse gjakderdhje nuk kam pasur”, shprehet më tutje kjo nënë.
Ashtu si edhe në rastet tjera, familjarëve nuk iu kthye asnjëherë trupi i fëmijës, qoftë edhe i vdekur.
“Kanë kërkuar familja me varrosë, i kanë thënë burrit se e kanë gjuajt në kantë të mbeturinave, dhe se s’ke çka me pa, pasi ajo është e vogël”, shprehet nëna, e cila pretendon se iu rrëmbye fëmija e sapolindur./Telegrafi/