Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, dhe zyrtarë të tjerë të komunës, kanë marrë pjesë në iftarin e shtruar të hënën nga Bashkësia Islame në Mitrovicë dhe organizata “Qatar Charity”.
Në iftarin e organizuar, ku morën pjesë qindra mysafirë dhe qytetarë të Mitrovicës, kryetari Bahtiri, në fjalën e tij të rastit i falënderoj fillimisht krerët e Bashkësisë Islame në Mitrovicë dhe përfaqësuesit e organizatës “Qatar Charity”, organizatë kjo humanitare nga Katari, e cila po jep vazhdimisht kontribut të madh për komunën e Mitrovicës, duke realizuar projekte të ndryshme me interes për qytetarët.
“Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Mitrovicës, dua t’i shpreh fillimisht organizatës ”Qatar Charity” falënderimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e deritashme të vazhdueshme të komunës së Mitrovicës. Komuna e Mitrovicës dhe “Qatar Charity” tashmë kanë vendosur një bashkëpunim të mirë midis tyre. Jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdoj dhe thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin e mirë që kemi pas deri tash, e tregon edhe ky iftar i shtruar nga “Qatar Charity”, tha kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri me këtë rast falënderoj edhe të pranishmit që morën pjesë në këtë iftar, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë në vazhdim të muajit të Madhërishëm të Ramazanit dhe duke e lutur Zotin që të ua pranoj agjërimin.
Përfaqësuesi i organizatës, “Qatar Charity”, Mahmoud Abbas Shaker, pasi përshëndeti të ftuarit në iftar tha se ndjehet mirë që ndodhet në mesin e mitrovicasve dhe që organizata e tij po u ndihmon sado pak qytetarëve të Mitrovicës.
Ai e vlerësoi të mirë bashkëpunimin e deritanishëm të organizatës së tij me komunen e Mitrovicës dhe premtoi se këtë bashkëpunim do ta vazhdoj edhe në të ardhmen.
Edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Irfan Krasniqi, i përshëndeti pjesëmarrësit në iftar dhe i falënderoi përfaqësuesit e “Qatar Charity” për organizimin e iftarit dhe për mbështetjen që po u japin qytetarëve të Mitrovicës.