Nga data 11.06.2018 (e hënë), ndaj të gjithë keqpërdoruesve të ujit të pijshëm në Komunën e Mitrovicës, do të ndërmerren masa të rrepta ndëshkimore administrative dhe të tjera.
Kështu është vendosur në një takim, të mbajtur në ndërtesën e administratës komunale, drejtuar nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, e ku ishin të pranishëm edhe komandanti i stacionit policor të Mitrovicës Jugore, Ahmet Gjosha, drejtori teknik i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, Kadri Istrefi dhe inspektorët komunal.
Në takim u tha se kjo masë është e domosdoshme dhe ndaj keqpërdoruesve të ujit do të zbatohet rigorozisht nga inspektorët komunal dhe zyrtarët e ujësjellësit, ndërsa që në aksion do të asistojnë edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës. Aksioni për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm do të zgjas gjatë tërë verës dhe 24 orë në ditë.
Drejtori teknik i Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë, i njoftoi pjesëmarrësit në takim për keqpërdorimin tej mase të ujit për pije nga ana e disa qytetarëve dhe disa pronarëve të pandërgjegjshëm të bizneseve, për ç’arsye shumë lagje në qytet dhe fshatra po kanë problem me furnizim të mjaftueshëm me ujë për pije, gjë që është e pa pranueshme dhe e ndëshkueshme.
Sipas tij, në këto ditë me vapë, qytetarë të pandërgjegjshëm po e shfrytëzojnë ujin e pijshëm për ujitje të rrugëve, kopshteve dhe arave, ndërsa që pronarët e pandërgjegjshëm të bizneseve po e keqpërdorin atë për përfitime personale, duke shkaktuar kështu probleme të mëdha në furnizim të rregullt të qytetarëve me ujë për pije, edhe pse kapaciteti i fabrikës për prodhimin e ujit, është i mjaftueshëm për nevojat elementare të qytetarëve.
Pasi unanimisht dënuan ashpër veprimet e këtilla jo ligjore dhe të pa ndërgjegjshme, pjesëmarrësit e takimit u dakorduan që të bashkërendisin aktivitetet për parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm për nevoja të tjera dhe që nga e hëna të dalin në terren dhe të ndërmarrin masa ndëshkimore administrative dhe të tjera, ndaj të gjithë atyre qytetarëve dhe bizneseve që i hasin duke keqpërdorur ujin e pijes.
Pjesëmarrësit e takimit me këtë rast ju bëjnë apel keqpërdoruesve, që të vetëdijesohen dhe të heqin dorë nga keqpërdorimi të ujit të pijshëm, në mënyrë që të mos shkaktojnë mungesë të tij dhe që tu ikin ndëshkimeve mandatorë dhe problemeve ligjore për shkak të veprimeve të dënueshme.
Po ashtu, pjesëmarrësit në takim ju bëjnë apel edhe konsumatorëve të ujit për pije, që të denoncojnë keqpërdoruesit e ujit, sepse kjo është në interesin e tyre dhe mënyra më e mirë për të parandaluar keqpërdorimin e ujit për pije./Veriu.info/.