Liderët politikë po e përcjellin Botërorin “Rusia 2018” dhe kanë të preferuarit e tyrë në garë. Për Gazetën Express, Kadri Veseli, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Lutfi Haziri, Mimoza Kusari, Memli Krasniqi kanë treguar se cilat shtetet i përkrahin në Botëror
Politikanët e Kosovës janë tifozë të futbollit dhe kanë preferencat e tyre në shtetet garuese në kampionati botëror që po mbahet në Rusi.
Nuk janë kualifikuar Kosova e Shqipëria, por s’kemi mbetur krejtësisht të papërfaqësuar. Katër kosovarë janë pjesë e ekipit të Zvicrës e në ndeshjen e parë të zhvilluar në fazën e grupeve, ata patën kontribut të madh në mposhtjen e Brazilit.
Të katërtit kanë përkrahjen e liderëve politikë në Kosovë.
Gazeta Express ka pyetur disa prej politikanëve për favoritët e tyre në Botëror. Shumica kanë thënë se përkrahin Zvicrën për arsye tanimë të ditur – përbërja e ekipit të helvetikëve nga katër kosovarë. Por ata kanë edhe preferenca të tjera.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përkrah shqiptarët e Zvicrës në këtë kampionat.
Zv.kryeministri Behgjet Pacolli ka dy të preferuar në botëror. Të parën Zvicrën, ndërsa është edhe me kampionin në fuqi Gjermaninë.
Zëvendëskryeministri, njëherësh kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, thotë se dëshiron që Zvicra të arrijë sa më lartë. Ai për Express ka treguar se po ashtu përkrah edhe kombëtarën e Kroacisë.
“Po i përcjellë ndeshjet e Kampionatit Botëror për aq sa po kam kohe dhe po mundem. Do te doja qe Kombëtarja e Zvicrës ku luajnë disa shqiptarë të arrijë sa me shumë. Jam tifoz po ashtu edhe i kombetares kroate”, ka thënë Limaj për Express.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, është një tjetër tifoz i futbollit. Tregon se po i përcjell ndeshjet dhe se është përkrahës i Zvicrës.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, për Express ka treguar se po e përcjell me vëmendje kampionatin botëror të futbollit që po mbahet në Rusi.
Ajo ka thënë se derisa Zvicra të jetë në garë, e gjitha përkrahja e saj do të jetë për ekipin që për dy botërorë rresht gjysmën e ekipit e ka kosovar.
“Pjesën e parë sa të është Zvicra, me Zvicrën për shkak të kosovarëve në ekip. Më vonë shohim e bëjmë”, ka thënë Kusari.
Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka thënë për Express se ka shikuar dy ndeshje dhe se do t’i shoh ndeshjet kur gara të bëhet më e ashpër. Edhe ajo, thotë se mungesë të Kosovës, përkrah Zvicrën.
E Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, ka treguar se nuk po e përcjellë edhe aq Botërorin. Ai thotë se nuk ka ndonjë të preferuar prej shteteve garuese.
“Nuk kam ndonjë favorit dhe s’e kam përcjellë shumë këtë kampionat”, tha Krasniqi për Express.