Ata që frekuentojnë pishinat duhet të tregojnë kujdes pasi mund të marrin infeksione të ndryshme. Më të rrezikuar janë të vegjlit ndaj mjekët apelojnë prindërit që t’i drejtohen qendrave shëndetësore nëse do të konstatojnë shenja në trupin e tyre.
Ardhja e stinës së verës dhe temperaturat e larta kanë rritur frekuentimin e pishinave dhe plazheve. Por larja në një pishinë përveç relaksit mund të shkaktoje edhe infeksione. Mjekët thonë se në to mund të merren sëmundje të ndryshme si ato gastrointensinale dhe infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve.
“Në radhë të parë mund të shkaktojë infeksioneve të lëkurës. Mund të shkaktohet diare, gjatë gëlltitjes së ujit. Mund të japë infeksione në sy, në vesh etj”, ka thënë mjekja Tatjana Nela.
Por më të ndjeshëm ndaj infeksioneve janë të vegjlit. Mjekja pediatre Tatjana Nela rekomandon paraqitjen e menjëhershme te mjeku për të kapur në kohë sëmundjet dhe për t’i kuruar në mënyrën e duhur.
“Duke mos shkuar te mjeku mund tja ngjiti një fëmijë tjetër. Edhe skuqja e syve mund të ngjitet tek një fëmijë tjetër”, ka shtuar ajo.
Si duhet të veprojmë për të evituar infeksionet, këshillon mjekja Nela.
“Rëndësi ka që pishina të klorifikohet, fëmijët përpara se të futen në pishinë duhet të bëjnë dush, pasi djersa e trupit kur futet në ujë me klorin shkakton iritim të lëkurës”, ka thënë pediatrja Tatjana Nela.
Edhe pse uji i pishinave është i klorifikuar gjasat për infeksione sërish janë të mëdha për faktin se ekzistojnë disa mikroorganizma që i rezistojnë edhe klorit./Ora News/.