Festa e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit me shqiponjë në ndeshjen Serbi 1:2 Zvicër, jo që ka lënë në hije këtë përballje në aspektin sportiv, por pothuajse gjitha përballjet deri më tani në Kupën e Botës.
Zvicra në Kaliningrad në kuadër të grupit E, ka mposhtur Serbinë për fitoren e parë në botëror.
Kjo ndeshje deri para zhvillimit të saj mund të ishte një ndeshje rutinore për tifozët e shumtë të futbollit në botë, por jo edhe për shqiptarët që veshin fanellën e ‘Helvetikëve’.
Fëmijët shqiptarë që lëshuan vendin e tyre në vitet e vështira të Kosovës për të emigruar për një jetë më të sigurt në Zvicër, për herë të parë në karrierën e tyre u përballën me vendin që ushtroi këtë agresion, Serbinë.
Pas një pjese të parë të fituar nga Serbia me rezultat 1:0, Zvicra arriti të përmbysë rezultatin në 2:1 me golat e shënuara nga Xhaka dhe Shaqiri, të cilët nuk hezituan të festojnë me shqiponjë, simbolin e shqiptarëve.