Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe drejtori i drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës, Naser Muja, kanë inspektuar të mërkurën punimet për rregullimin e kejit të Lumit Trepça, nga hyrja në Universitetin Publik të Mitrovicës, deri tek ura e magjistrales për në Prishtinë.
Kryetari Bahtiri, në takim me udhëheqësin dhe punëtorët e kompanisë përfituese për realizmin e këtij projekti, tha se duhet të vazhdojnë punët me intensitet të shtuar për ta përfunduar projektin në tërësi.
“Tashmë ka filluar sezoni i pushimeve verore dhe është mirë që të gjithë ata që hyjnë në Mitrovicë përmes kësaj rruge të shohin një pamje të bukur përgjatë saj dhe lumit, pasi që deri tash ishte një pamje shumë e shëmtuar. Përveç që kjo hapësirë do të rregullohet bukur, ku do të ketë edhe gjelbërim, në të do të vendosen edhe karrige për pushim të qytetarëve. Menjëherë do ta rregullojmë edhe hapësirën tjetër përgjatë varrezave ortodokse, si dhe atë afër magjistrales për në Prishtinë. Qyteti i Mitrovicës vërtetë do të bëhet një qytet që do të ngjason qyteteve evropiane”, tha kryetari Bahtiri.
Projekti për rregullimin e kejit të lumit Trepça është bashkëfinancim i Komunës me DEMOS-it dhe ka kushtuar rreth 33.000 euro./Drenica press/.