Fshati kodrinor, Petrovë, dhe lokaliteti te udhëkryqi i quajtur Te Pishat, (Bincë) të qytetit të Shtimes, janë dy vendbanimet që kanë përfituar nga investimi i radhës të KEDS-it.
145 familje, të cilët ndër vite kanë pasur probleme të mëdha me tensionin e ulët, si pasojë e rrjetit të vjetër, tashmë janë përfitues të këtij investimi.
Në Projektin Petrova I- Kulla Rashiti në fshatin Petrovë, që njihet edhe për biznesin e gurëthyesve, gjatë implementimit të projektit, KEDS ka vendosur dy trafo. Njëra me fuqi prej 400 kVA dhe tjetra me një kapacitet 250 kVA. Gjithashtu, janë vendosur 85 shtylla betoni për tensionin e ulët dhe 13 për tensionin e mesëm dhe janë shtrirë 4400m kabllo ajrore për tension të ulët dhe 843m kabllo nëntokësore për tension të mesëm.
Sipas Lavdim Tërshanës, banor i fshatit, KEDS ka bërë një investim me hapa të sigurt.
“Vetëm një trafo e kemi pas për krejt mëhallat këndej kemi pas problem pas problemi. Gjendja ka qenë katastrofë dhe ngarkesat kanë qenë të mëdha. Pasi KEDS vendosi trafon e re në mëhallën tonë, gjithçka ka ndryshuar. Tash rryma është stabile. KEDS ka bërë investim të sigurt me hapa të sigurt. Falënderojmë kompaninë për gjithë këto ndryshime që na ka sjellë”, tha Tërshana.
Pas përfundimit të projektit nga KEDS-i, këto lokalitete kanë marrë pamje krejtësisht të re energjetike. Është rritur dukshëm furnizimi me energji elektrike dhe siguria për banorët e këtyre anëve.
Edhe banori tjetër i këtij fshati, Hazer Rashiti, me profesion zdrukthëtar, falënderon kompaninë dhe punëtorët për punën që kanë bërë në fshat.
“Tension i lartë na kalonte nëpër shtëpi dhe rrjeti ishte i vjetër që nga viti 1972 dhe gjithmonë paraqiste rrezik. Më kujtohet kur një shtyllë ra mbi një kulm të një shtëpie, por fati deshi që të mos pësojë askush. Tash rryma është e fortë dhe stabile. Du me thanë edhe nja dy fjalë për punëtorët e KEDS-it. Kanë qenë mjaft të përgjegjshëm dhe shumë të sjellshëm gjatë gjithë kohës sa kanë punuar këtu”, shprehet Rashiti.
Projekti tjetër i KEDS-it në qytetin e Shtimes përfshin lokalitetin Te Pishat II, fshati Bincë, ku KEDS ka investuar që 127 familje në këto anë t’u gëzohen këtyre investimeve. Banorët që jetojnë këtu kryesisht janë të ardhur nga viset tjera.
Gjatë implementimit të projektit KEDS këtu ka vendosur një trafostacion (TS10/0,4kV) me fuqi 400 kVA, 112 shtylla betoni për tension të ulët, 8 shtylla betoni për tension të mesëm, gjithashtu janë shtrirë 4700m kabllo ajrore për tension të ulët dhe 365m kabllo nëntokësore për tension të mesëm.
Ramadan Duli, banor i kësaj ane, thotë se kanë pasur hall të madh me rrymën e tash me trafon e re, rryma është shumë më e fortë.
“Kemi pasur pengesa të mëdha, telat kanë qenë të ramë përtokë, do të kapur për druni të thjeshtë. Hallin e kena pas si do të bëhet zgjidhje kësaj pune. Jeni friku mos po u ndhodh naj e keqe fëmijëve. Tash kemi trafo të re, shtëpi të re e rrymë të fortë”, ka thënë Duli.
Investime të tilla, gjithnjë sipas planit dinamik të paraparë, KEDS po vazhdon të shtrijë në tërë territorin e Kosovës. /Telegrafi/.