Elife Luzha
Margjinalizimi, apo pengimi i grave që të jenë pjesë e veprimtarive të përbashkëta shoqërore, është jo vetëm shkelje e të drejtës universale ndaj personit femër, por edhe pengesë e zhvillimit dhe përparimit shoqëror, “sepse është e pamundur që një shoqëri të përparojë dhe të qytetërohet me ritmet e kërkuara, në një kohë që njëri nga këto grupe mbetet injorant, dembel apo i pa arsimuar”, thoshte Sami Frashëri. Duke e ditur se letërsia është “pararojë e emancipimit”, gratë e para shkrimtare, në krijimtarinë e tyre letrare, shtjelluan kryesisht tematika për emancipimin dhe vetëdijesimin e grave për të drejtat e tyre.
E, kur flasim për gratë në letërsi, “emrat e tyre vetojnë në faqet e shtypit, por shumë më rrallë seç do të duhej”, thotë shkrimtari ynë I. Kadare, në librin e tij “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Prandaj, ai i quan “zonja të vogla të letërsisë”, sepse ato nuk mund të bëhen të mëdha, nga bërrylat e burrave.
Në fillimet e hershme, shkrimet e autorëve gra nuk përfilleshin, madje aftësia e tyre për të shkruar merrej si mangësi, për çka mund të përfundonin edhe në çmendinë! Ishte kjo arsyeja që ato nuk nënshkruheshin me emrat e tyre, por me pseudonime burrash. Aprah Behn është shkrimtarja e parë grua që guxoi të dilte hapur me emrin e vet, edhe pse ndaj saj, Elizabeth Carter e Hannah More, ishte ushtruar presioni i egër për të hequr dorë nga shkrimet.
Epoka elizabetiane e njohur edhe si Epoka e Shekspirit (1558-1603) dhe e lulëzimit të romanit, është e shquar me gra romansiere dhe tematikat e tyre për gratë që patën ndikim edhe në epokën viktoriane (1837-1901), kur zunë fill lëvizjet e para feministe më 1850. Po këtë vit, në Londër u themelua Kolegji për vajza. Kurse, më 1872, motrat Maria Grey dhe Emily Shirreff themeluan Shkollën publike për vajza.
George Eliot (Maria Evans), është një ndër përfaqësueset e kësaj periudhe e cila besonte se “gratë sipas zotësisë dhe aftësisë, mund të barazohen tërësisht me meshkujt shkrimtarë”. Ajo e kishte përkthyer veprën “Jeta e Krishtit” (1846), ku demistifikohej origjina hyjnore e qenieve, për çka bie në kundërshtim me babanë dhe vëllain, ndaj detyrohet të largohet nga shtëpia. Në këto kohë dominonte mendimi paragjykues se “gruaja nëse donte të mbetej e pastër, duhej t’i shmangej aktiviteteve publike”, që tingëllon paradoksale, kur kemi parasysh se në atë periudhë, për 64 vjet (1837-1901), ka udhëhequr mbretëresha Viktoria. Por, siç shkruan më vonë Virginia Woolf, përkundër pozitës së rëndë të gruas në shoqërinë e asaj kohe, nga fundi i shekullit të XVIII-të, kishte ndodhur një ndryshim, kur “gruaja e klasës së mesme po merrej me shkrime”. Megjithatë as gjatë shekullit të XIX-të, nuk u arrit shifra 20 për qind e shkrimtareve gra.
Një tjetër zë i fuqishëm i kësaj periudhe është edhe sociologia e parë femër Harriet Martineau, e njohur për veprën e saj “Ilustrimet e ekonomisë politike” që për dhjetë ditë u shit në 1,500 kopje. Ajo publikoi gjithashtu edhe mbi 2,000 artikuj tjerë me tema për gratë. “Unë prisja kaherë që të fitoj lirinë për të shkruar” thoshte ajo, e bindur se “gratë të cilat i përmirësojnë kushtet dhe shanset e gjinisë së tyre, nuk duhet të kenë vetëm dhembshuri dhe përkushtim, por edhe të jenë racionale”. Ishte koha kur në New York Tribunë u botua raporti mbi “Konventën e të Drejtave të Femrave”, me kërkesë për barazi sociale dhe politike për gratë. Kjo lëvizje gjeti shtrirje sidomos në Angli, me prijësen Harriet Martino, e cila shprehte indinjatë kundër “çdo pjese tjetër të gjinisë njerëzore që të vendosë për një pjesë tjetër”, prandaj thoshte “ne duam të drejta të barabarta dhe trajtim të barabartë për të gjitha privilegjet shoqërore”.
Është për t’u theksuar se rreth këtyre viteve (1879), Sami Frashëri, në broshurën me titull “Gratë” u bënte thirrje atyre që të ndjekin modelin amerikan për të drejtat e tyre, pasi “gruaja në SHBA nuk është kukull si në Evropë e as robëreshë si në Azi”, thoshte ai.
Njihen edhe shumë shkrimtare gra që nëpërmjet artit të shkruar, patën rol të veçantë në emancipimin dhe avancimin e të drejtave të femrës në shoqëri. Nismëtarja e letërsisë moderne, anglezja Virginia Woold, në veprën e saj pamflet “Një dhomë për vete”, duke analizuar gratë si shkrimtare edhe si personazhe, thotë: “Gruaja duhet të ketë para dhe një dhomë për vete po qe se do të bëjë letërsi”. Ajo kishte shkruar një tregim për motrën hipotetike të Shekspirit, Juditën, duke shtruar edhe pyetjen: “Nëse Shekspiri do të kishte pasur një motër të talentuar si vet, a do të mund edhe ajo të behej dramaturge apo aktore sikurse i vëllai”? Përgjigja ishte jo, sepse përkundër talentit që mund ta kishte zotëruar, mentaliteti patriarkal dominues nuk do ta lejonte.
Ja pra pse gratë shkrimtare në veprat e tyre nuk firmoseshin me emrin e vërtetë. “Meshkujt i sundojnë femrat në errësirë, fshehurazi dhe vjedhurazi”, do të shprehej më vonë shkrimtarja Simone de Bovuar. Madje, sipas saj, “në asnjë vend statusi legal i gruas nuk është i njëjtë me atë të burrit.” Simone de Bovuar, në veprën e saj “Seksi i dytë”, e kundërshton fuqishëm ndarjen e shoqërisë mbi baza gjinore. Edhe pse nuk e mohonte dallimin mes gjinive, ajo ishte e bindur se gruaja më shumë është produkt i kulturës se sa i natyrës, prandaj thoshte: “Grua nuk lind, por bëhesh”. Ajo njihet si luftëtare për emancipimin e gruas. Rreth viteve ’70-të të shekullit të kaluar u angazhua në “Lëvizjen për Çlirimin e Gruas”, duke u bërë frymëzuese dhe referencë e lëvizjes feministe në botë.
Lexo po ashtu:
Zërat e parë femërorë të letërsisë shqipe
Zërat e parë femërorë të letërsisë shqipe
Sipas shkrimtarit tonë, Ismail Kadare, letërsia e shkruar artistike te shqiptarët fillon me Lekë Matrëngën, i cili qysh në vargun e dytë të poezisë “Pëshpëritje” (1592), për herë të parë përmend fjalën grua. Pas tij vjen Pjetër Budi që “përbën një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore”, thotë ai. Edhe në periudhën e Rilindjes, që njihet si periudha e ringjalljes kulturore të shqiptarëve, poetët si Naimi, Çajupi e të tjerë e hyjnizuan gruan shqiptare gjer në lartësitë poetike, të pa arritshme edhe sot. Ishte kjo koha e pushtimit osman, kur gruaja shqiptare, e mbërthyer nga sundimi i despotizmit oriental, nuk gëzonte asnjë të drejtë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, gruaja shqiptare po përjetonte edhe tmerrin e mbulimit të detyruar me perçe, “që ishte turpërim i madh, dhe betejë e humbur për shqiptarët”, thotë Kadare.
Në periudhën e lëvizjeve për çlirim kombëtar të shekullit XIX-të, gruaja shqiptare krahas luftës kundër pushtuesve osmanë, duhej t’i luftonte edhe kodet kanunore, që sipas Edith Durham “kishin forcë detyruese sa Dhjetë Urdhrat e Biblës, mësimet e islamit e krishterimit apo ligjet e Sheriatit e të kishës”. Prandaj, nuk ishte për t’u habitur që poeti anglez Byron, në veprën e tij “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (1812), pozitën e gruas shqiptare e përshkruante si “tamed in their cave”, term i “pa kapërdirë”, por që për fat të keq, pasqyron fatin tragjik të femrës shqiptare në atë kohë.
Nga fundi i shekullit XIX, valët e lëvizjeve feministe në botë, u ndien edhe në Shqipëri. Shkrimtarja me origjinë shqiptare, Elena Gjika (Dora d’Istria), ishte njëra ndër katër gratë më të fuqishme në Evropë e cila nëpërmjet fjalës së shkruar promovonte të drejtat e grave dhe integrimin e tyre në shoqëri. Në veprën e saj “Gratë të para nga një grua” shkruante se “gruaja shpesh është skllave e injorancës që të tjerët e lënë me qëllim.”
Ndikuar nga kjo frymë, motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, më 23 tetor 1891, në Korçë hapën shkollën e parë shqipe për vajza. “Fillimisht shkollën e vizituan tri vajza, por deri në fund të vitit, shkollën e përfunduan edhe 27 të tjera”, thotë në kujtimet e veta mësuesja e parë e kësaj shkolle Sevasti Qiriazi. Ajo kishte studiuar në Stamboll dhe në ceremoninë e diplomimit të saj, si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, merrte pjesë edhe Naim Frashëri, i cili Sevastias i ishte drejtuar me këto fjalë: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë, se sa vendimi që keni marr për emancipimin e grave. Po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do të arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin”.
Sevastia bashkë me tri shoqe shqiptaro-amerikane, në dekadën e parë të shekullit XX, në revistën “Përparimi”, pos poezisë publikuan edhe publicistikë, duke u bërë nismëtare te letërsisë së shkruar nga femrat. Thënia e Sevastias “i quaj hero ato që sakrifikojnë veten për hir të tjerëve dhe jo ato që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes”, shpreh punën e saj vetëmohuese në mbi 40 vjet në shërbim të arsimit kombëtar.
Pas pavarësisë së Shqipërisë, letërsia shqipe mori një drejtim të ri zhvillimi. Megjithatë emri i gruas letrare thuajse nuk dukej gjëkundi. Duhej të vinin vitet ’30-të, për t’u dëgjuar zëri i atyre që “sollën pranverë në shtypin shqiptar”, si do të shprehej poeti Gjergj Bobani. Selfixhe Ciu (1918-2003), një vajzë 17 vjeçe nga Gjirokastra) ishte ajo “lulja e pranverës”, e cila nën pseudonimin “Kolombia”, më 28 nëntor 1935, në Gazetën “Populli” botoi vjershën “Vala gënjeshtare”. Me një gjuhë të mprehtë poetike, botoi edhe poezi tjera ku shpaloste pikëpamjet për mbrojtjen e të drejtave të grave. Por, një nga zërat dallues që “u çelën rrugën grave shqiptare në botën e bukur të artit” pa dyshim është Mysine Kokalari, e cila krahas veprave poetike, botoi edhe prozë ku dominonin temat për pozitën e rëndë të gruas në shoqërinë shqiptare. Veprat e saja u vlerësuan lart nga kritika, por siç ndodh shpeshherë në jetë “gratë e shquara lihen në mosnjohje”. Mysineja, e martirizuar nga regjimi komunist, për një kohë të gjatë thua se ishte lënë në anonimitet, për t’u rikthyer prapë përmes veprave me vlera të larta artistike për kombin.
Me kalimin e viteve, zëri i shkrimtareve gra bëhet më i dëgjuar, por si në shumë sfera të jetës, femra vazhdon të diskriminohet dhe nënçmohet. Kultura e të shkruarit e grave, “kalohet si të ishte nënkulturë”, prandaj, ato bëjnë përpjekje titanike për të qenë të barabarta, në fushën që “ende konsiderohet e burrave”. Se kjo qëndron, na e dëshmon periudha e viteve 1950-1980, kur vështirë numëronim mbi dhjetë tituj të librave me autore gra. Sado të pabesueshme të na duken këto të dhëna, për fat të mirë apo të keq, burime të sakta për ne vazhdojnë të mbeten ato të mbledhësve apo albanologëve të huaj, si Robert Elsie, i cili në studimin e tij “Një fund dhe një fillim”, gratë shqiptare më shumë i konsideron si gra që shkruajnë se sa gra shkrimtare. Ai ka bërë edhe një renditje të autoreve të para gra, ku sipas tij prinë Adelina Mamaqi, me veprën poetike “Ëndrra vashërie” (1963), duke vijuar me: Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Adelina Bolashi, Elsa Bollauri, Beatriçe Bolliçi, Flora Brovina, Edi Shukriu, për të arritur në vitin 1973 me Elena Kadare dhe romanin “Një lindje e vështirë”, që konsiderohet roman i parë në letërsinë e shkruar nga femrat shqiptare. Pastaj është Mimoza Ahmeti dhe emra tjerë të grave letrare, por pa ndonjë “grande damë” siç shprehet ai, sepse “gratë shqiptare deri vonë ishin analfabete”. Dhe kjo qëndron kur kemi parasysh se deri në vitet ’50-të, shumica e grave shqiptare nuk dinin shkrim as lexim.
Duhet thënë se që nga fillimet e viteve ’90-të, numri i shkrimtareve gra është rritur. Shumë prej tyre tani më numërojnë dhjetëra tituj librash të botuar. Një paraqitje të emrave të këtyre “zonjave të vogla” të letërsisë shqipe në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, e ka bërë edhe shkrimtari ynë, Ismail Kadare, duke filluar me Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Luljeta Leshnaku, Ani Wilms, Besa Myftiu, Lindita Arapi etj., “emrat e të cilave kurrsesi s’mund të jenë shterues” thotë ai. Disa prej tyre (edhe nga të përmendurat), të larguara nga Shqipëria, sidomos pas trazirave të vitit 1997, shkëlqejnë nëpër vendet e ndryshme të Evropës e botës. Është fatkeqësi fakti që artisti në vendin e vet e ka të pamundur të sigurojë kushtet më minimale për jetë. Kjo padrejtësi natyrisht godet edhe krijueset gra, të cilat janë të detyruara të “ikin”, si dallëndyshet (siç i përfytyronte Lasgushi, apo si xixëllonjat (siç i përfytyron I. Kadare), për të mbijetuar, bashkë me ëndrrën për kthim.
Në letërsi nuk duhet bërë dallimi midis dy gjinive dhe nuk është mirë të thuhet ”letërsi e grave apo e burrave”, por nuk mundem pa thënë se në letërsinë shqipe emri i shkrimtareve gra, vazhdon të mbetet i anashkaluar, qoftë në ndarjen e çmimeve, pjesëmarrjes në takime, apo edhe vlerësimeve tjera përkatëse. Është pikërisht ky diskriminim që e bën si të “padukshme” gruan shkrimtare në historinë e letërsisë, që është vetëm njëra nga “vellot” e errëta të padrejtësive ndaj grave, në shoqërinë tonë./Telegrafi/.