Me ceremoni zyrtare të udhëhequr nga Forca e Sigurisë së Kosovës, të mërkurën pritet rivarrimi i dy dëshmorëve të Kombit në ‘Varrezat e dëshmorëve’ në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, raporton portali Veriu.info.
Dy dëshmorët që janë nga territori i Komunës së Vushtrrisë, Sahit M. Avdulli dhe Kadri R Dushi, por të cilët më parë kanë qenë të varrosur në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Polac të Skenderajt, të mërkurën do të rivarrosen në Vushtrri.
Rivarrimi i tyre po bëhet me një vendim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kur gjithë dëshmorët nga Polaci po rivarrosen kryesisht në varrezat e Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt, derisa ata të komunave tjera po rivarrosen në varrezat e komunave përkatëse. /Veriu.info/