Komuna e Vushtrrisë ka themeluar një ‘task-forcë’ e cila parasheh ndëshkimin e qytetarëve të cilët keqpërdorin ujin e pijes por edhe veprime të tjera të ndaluara.
Nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, së bashku me drejtorin për inspektime Berat Asllani dhe inspektorët nga ujësjellësi, kanë filluar inspektimin në të gjithë qytetin e Vushtrrisë për ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes.
“Sot kemi një aktivitet inspektues që ka të bëjë me ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes për ujitje, për larje të veturave e trotuareve. Do të inspektojmë në kudër të task forcës subjektet afariste të cilat shërbejnë me ujë të puseve i cili nuk është i sigurt për përdorim në pije për qytetarët. Poashtu target tjetër do të jetë edhe hedhja e mbeturinave vend e pa vend”, tha Muzaqi.
Puna e inspektorëve ka filluar në disa nga auto-larjet e qytetit për të parë nëse pastrimin e veturave e bëjnë me ujë të ujësjellësit.
Në raste kur auto-larjet bënin pastrimin e veturave me ujë të ujësjellësit, inspektorët shqiptonin gjobë prej 100 euro për keqpërdorim të ujit të pijes.
Në inspektim e sipër inspektorët zbulojnë edhe keqpërdorime të tjera.
Një grup punëtorësh kanë nisur të zhvillojë punime afër rrugës pa leje përkatëse. Në këtë rast, inspektorët urdhëruan ndërprerjen e punimeve deri të prezantohet para tyre leja nga komuna për zhvillimin e punimeve.
“Gjatë punës sonë që e patëm sipas planit hasëm në këtë punishte, ku janë duke shpuar tokën nën magjistrale. Ne e verifikuam gjendjen dhe e pamë se nuk kanë dokumente që ka pëlqim për këto punime, kështu që puna ndalet deri në prezantim të dokumenteve” u shpreh Muzaqi.
Inspektorët komunalë kanë hasur edhe raste ku përveç keqpërdorimi të ujit të pijes, subjektet afariste ushtronin veprimtarinë e tyre pa pasur regjistrim të biznesit.
Ata përveç shqiptimit të gjobës prej 100 euro për keqpërdorim të ujit të pijes, kanë bërë edhe mbylljen e subjektit deri në posedim të lejes për zhvillim të biznesit.
“Në këtë rast hasëm në një subjekt afarist i cili ushtron veprimtarinë pa e pasur njësinë e regjistruar, duke qenë edhe keqpërdorues i ujit të pijshëm. Inspektori e shqiptoj gjobën sipas rregullave, dhe tani për arsye të mos-regjistrimit të biznesit e mbyllim përkohësisht deri sa ta regjistrojë, ndërsa problemin për ujin e pijes duhet ta zgjedhë sepse me ujë të pijes nuk lejohet veprimtaria e auto larjes” tha Muzaqi.
Pjesë e task forces së Inspektoratit në një ditë të punës ishte edhe vërtetimi i raportimeve që uji i pijes në lokalet e qytetit shërbehet nga puset e jo nga ujësjellësi.
Por, raportimet dolën të jenë të pasakta, pasi që përmes analizës së ujit inspektorët vërtetuan se uji që shërbehet në lokale është i pijshëm.
Përveç autolarjeve dhe lokaleve në qytetin e Vushtrrisë, gjatë rrugës për inspektim në disa fshatra të Vushtrrisë, inspektorët vërejtën një lokal në të cilin uji nga ujësjellësi përdorej për pastrim të trotuarit.
Pas vërtetimit të inspektorëve se uji i cili përdorej është nga ujësjellësi, pronarit të lokalit iu shqiptua gjobë prej 100 euro për keqpërdorim të ujit të pijes.
Në përfundim të aktivitetit inspektues, në të cilin u kontrolluan shumë lokale afariste dhe shërbyese në komunën e Vushtrrisë, nënkryetari i komunës Besim Muzaqi ka paralajmëruar qytetarët se inspektimet nga ana e komunës për keqpërdorim të uji të pijes dhe hedhje të mbeturinave do të vazhdojnë.
“Ditën e sotme sa i përket aktivitetit inspektues po e përmbyllim për të vazhduar në një ditë tjetër me të njëjtin aktivitet”, tha Muzaqi./kallxo.com