Kur Gabriel Garcia Marquez shkroi “Njëqind vjet vetmi”, ai ri-imagjinoi gjenezën e kontintetit të tij. Kjo pati ndikim të vërtetë politik.
Përpara “Njëqind vjet vetmi”, Amerika Latine kishte disa ngjashmëri me vendin e imagjinuar të përshkruar në paragrafin e parë të romanit: “Bota ishte kaq e re, saqë shumë gjëra nuk kishin emra, dhe në mënyrë që t’i tregoje, ishte e domosdoshme të drejtoje gishtin”. Kontinenti, sigurisht, që nuk ishte një vend i ri kur Gabriel Garsia Marquez shkroi romanin e tij të vlerësuar: autorët e njohur si Kronistët e Indive, gjatë shekujve të XV-të dhe XVI-të kishin ndërmarrë detyrën e përshkrimit të tokës; ata emërtuan gjërat e panjohura ndërkohë që i shihnin për herë të parë.
Shumë dekada më vonë, Marquezi u nis për një Zbulim të dytë të Amerikës. Nga studioja e tij e vogël në qytetin e Meksikës, me durim ai kompozonte mbi makinën e tij të shkrimit, duke ri-imagjinuar gjenezën e kontinentit dhe duke bërë këtë, ai e ndryshoi përgjithmonë të ardhmen e tij.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, Amerika Latine kaloi përmes një periudhe plot konvulsione. Disa vende – si Kili, Kolumbia dhe Meksika – po përballeshin me paqëndrueshmërinë, diktaturat dhe dhunën politike. Kjo çoi në ndryshime sociale të mprehta e shpesh edhe konfuze, përfshirë Revolucionin Kubanez, të drejtuar nga Ernesto Che Guevara dhe Fidel Castro.
Kur Marquezi ishte në fazat e para të sagës së tij të pakufij, ai u tërhoq shumë nga kthesa e ngjarjeve në Kubë. Ajo që e goditi atë më shumë ishte mundësia reale për një rend të ri për vendet në këtë pjesë të hemisferës, larg nga presioni dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Shumë intelektualë – Mario Vargas Llosa, Jean-Paul Sartre, Albert Camus dhe Simone de Beauvoir, mes të tjerësh – ndanin të njëjtin entuziazëm si ai. Sidoqoftë, në vitet që pasuan, pjesa më e madhe e tyre u zhgënjyen dhe e distancuan veten nga modeli kuban. Por është e pamohueshme që revolucioni pati një ndikim madhor në tonalitetin e “Njëqind vjet vetmi”: ai i dha Marquezit shpresë për fatin e Amerikës Latine.
Duke shkruar kryeveprën e tij, pavarësisht, nuk ishte e lehtë. Në atë kohë, ai po jetonte me Mercedesin, gruan e tij dhe dy djemtë e tyre, Rodrigon dhe Gonzalon në qytetin e Meksikës. Ata ishin larguar nga Kolumbia për shkak se Garsia Marquez nuk ndjehej rehat me qeverinë e krahut të djathtë të vendit të tij. Ai po jetonte jashtë vendit – përpara se të vendosej në Meksikë, ai qëndroi në Karakas, Paris dhe Barcelonë – ndërkohë që nanuriste ambicjen për t’u bërë një romancier me famë botërore.
Por, familja kishte vështirësi për të mbijetuar me rrogën e tij të ulët si korrespondent ndërkombëtar për një numër revistash e gazetash në gjuhën spanjolle. Librat e tij të mëparshëm kishin qenë mjaft të vlerësuar, por dështim nga ana e shitjeve. Marquezi e dinte se kishte në dorë një histori të madhe, por thjesht nuk po gjente dot rrugën e duhur për romanin epik që kishte në mendje.
Ekzistojnë shumë legjenda – të cilat në vazhdën e jetës së tij, ai nuk u kujdes kurrë t’i konfirmojë apo mohojë – për atë sesi e gjeti frymëzimin dhe sesi e tejkaloi ngërçin e shkrimtarit që e kishte përndjekur. Varet se kë zgjedh të besosh. Një prej tyre është ai në biografinë e mrekullueshme të Gerald Martin: “Ai u nis së bashku me familjen për pushime plazhi në Akapulko, një ditë rrugë në jug. Në mes të rrugës, ai ndaloi makinën – një Opel i bardhë i 1962-it me sedilje të kuqe – dhe u kthye pas. Vepra e tij e ardhshme i kishte ardhur papritur. Për dy dekada, ai kishte tërhequr e shtyrë për ta nxjerrë rrëfimin për një familje të madhe në një fshat të vogël. Tani ai mund ta shihte në mendje me qartësinë e një njeriu, që duke qëndruar përpara skuadrës së pushkatmit, e sheh jetën e vet në një moment të vetëm”.
Sipas Martinit, Mercedes e anuloi menjëherë pushimin e fundjavës. Ata u kthyen në shtëpi dhe ajo i tha të niste të shkruante. Ajo do të kujdesej për shpenzimet e jetës familjare sa kohë ai ishte i fokusuar tek romani i ri. Kështu veproi: ai e injoroi realitetin dhe shkroi – sunduar nga personazhet që kishin qenë duke pëshpëritur historitë e tyre në veshët e tij që kur ai ishte një fëmijë i vogël- për tetë muaj rresht.
Ajo që erdhi më pas, tashmë është rrëfyer aq shpesh sa mërzitesh. Saga e familjeve Macondo dhe Buendía u bë menjëherë një klasik modern, shpesh krahasuar me veprat e Servantesit dhe Shekspirit. “Është libri që përcaktoi jo vetëm letërsinë e Amerikës Latine, por letërsinë e pikë”, shkroi Ilan Stavans, akademiku i njohur i kulturës latine në Shtetet e Bashkuara, i cili pretendon se e ka lexuar librin 30 herë. Garsia Marquez nuk ishte as historian e as sociolog. Ai ishte një rrëfimtar natyral. Ai mund të shihet si një prizëm. Ai ishte në gjendje të konvergonte një sasi të jashtëzakonshme informacioni dhe ta shndërronte atë në një mitologji të re. Kjo ishte mjeshtëria e “Njëqind vjet vetmi”: ai mori nga burime të ndryshme për të krijuar një lindje alternative, hiperbolike të kulturës së Amerikës Latine. Dhe duke bërë këtë, ai e ri-interpretoi natyrën e saj.
Do të ishte e pamundur të listoheshin të gjitha burimet që konfigurojnë këtë univers të ri. Ai mori një pjesë të madhe nga legjendat që kishte dëgjuar gjatë fëmijërisë në Aracataca, qytetin e vogël kolumbian ku ishte lindur. Ato janë baza të traditave gojore të Karaibeve që qëndrojnë nën lëkurën e romanit. Më pas, ai lexoi Uillim Folknerin sikundër edhe mitet greke dhe para-hispanike. Dhe në fund, ai mori frymëzim nga historia e dhunshme e Kolumbisë në shekujt 18-të deri në atë të 20-të. Të gjitha këto histori u bashkuan dhe u poqën në mendjen e tij të jashtëzakonshme, për të dalë më as si një trup i vetëm, ndërtuar duke përdorur simbolizmin.
Gabo – siç e thërrisnin miqtë dhe familja – po ashtu zotëronte aftësinë të tregonte këto histori si nuk e kishte bërë kush më parë. Ai huazoi hapin dhe ritmin nga Vallenato, një muzikë tradicionale folklorike nga qyteti Valledupar, të cilia i kombinoi me mjetet e narrativës gazetareske. Garsia Marquez ishte po ashtu një reporter fantastik dhe këto aftësi ai i ndërthuri në prozën e tij. Kush ka punuar me të, e njeh mjaft mirë aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të shndërruar hallet e jetës së përditshme në rrëfime magjike.
“Njëqind vjet vetmi” është një alegori e fuqishme e identitetit amerikano-latin. Historia, vendosur në një periudhë kohore prej një shekulli, eksploron shumë prej çështjeve kryesore në historinë e trazuar të rajonit: kuadilizmin (lidershipin e një njeriu të fortë), maçizmin, kryengritjet, pushtetin, epidemitë dhe dhunën politike. Por pavarësisht materialit të dendur social, Garsia Marquez e paraqet atë me humor dhe me një gjuhë të hollë e poetike. Dhe pas asaj që mund të jetë një afresk konfliktesh sociale, ai ishte në gjendje të shohë bukurinë që shtrihet në gjithçka. Ashtu si ai tha vetë në fjalimin për çmimin e tij Nobel: “Pavarësisht shtypjes, plaçkitjes dhe braktisjes, ne përgjigjemi me jetë. As përmbytjet e epidemitë, uria apo kataklizmat, apo madje as luftërat e përjetshme shekull pas shekulli, nuk kanë qenë në gjendje të mposhtin avantazhin këmbëngulës të jetës mbi vdekjen”.
Ky portret mund të duket si karikaturë, por realizmi magjik ndërtohet mbi ekzagjerimin. Bota që Garsia Marquez krijoi është një pasqyrë e mrekullueshme në të cilën Amerika Latine është në gjendje të shohë të metat dhe virtytet e saj. Ashtu sit ha edhe vetë në një intervistë me “The New York Times” në vitin 1988: “Mendoj se librat e mi kanë pasur ndikim politik në Amerikën Latine për shkak se kanë ndihmuar në krijimin e identitetit të Amerikës Latine; ndihmuan që latino-amerikanët të bëhen më të vetëdijshëm për kulturën e tyre”. Dhe tek kjo vetëdije qëndron edhe pushteti i tij. /Përgatiti: Juli Prifti/tesheshi.com/.