Xhavit Haliti duhet të mos autorizohet më për të drejtuar seancat e Kuvendit pasi po e keqpërdorë këtë pozitë. Kështu vlerëson Albert Krasniqi nga KDI i cili thotë se deputeti i LDK’së Arben Gashi duhet të kërkojë falje dhe t’i tërheq fjalët ndaj Halitit.
Nëse këtë nuk e bënë, Krasniqi thotë se falje duhet të kërkojë LDK.
Debati i ashpër, degradues e ofendues vazhdon të jetë prezent në pothuajse çdo seancë të Kuvendit të Kosovës.
Degradimi i fjalorit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi.
Rasti i fundit ishte në seancën e së enjtes që e lam pas, kur kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i PDK’së, ka zhvilluar një debat të ashpër e ofendues me deputetin Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që këtij të fundit nuk iu dha e drejta e fjalës për një replikë. Gashi përdori fjalë ofenduese në drejtim të Halitit.
Megjithëkëtë, debati në mes këtyre dy deputetëve nuk ka mbaruar të enjten. Një ditë pas Haliti derisa po votonte për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është afruar pranë deputetit Gashi dhe e ka goditur më bërryl në bark. E gjithë kjo situatë ndodhi në praninë e dhjetëra deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të cilët po e përcillnin seancën nëpërmjet kanaleve televizive.
Organizatat Joqeveritare të cilat e mbikëqyrin punën e Kuvendit po deklarojnë se Haliti po e përdorë pozitën zyrtare për qërimin e hesapeve me deputetët e opozitës. Ndërsa për sjelljet e Gashit, karshi Halitit, në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ata deklarojnë se deputeti i LDK’së duhet kërkojë falje. Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për Express se rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që në rast të përdorimit të gjuhës jo parlamentare, të nxitjes së dhunës apo përdorimit të gjuhës të pahijshme, ofenduese, shpifëse, kërcënuese ose fyese, kryesuesi i seancës t’i tërheq vërejtjeje për sjelljen deputetit, dhe si masë të kërkojë nga deputeti të tërheq fjalët, të ia ndërpres fjalën si dhe të largoj deputetin nga seanca e asaj dite.