Nënshkrimi i këtyre kontratave, do t’i sjellë Telekomit të Kosovës, Vala, një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve të rinj, ndërsa bizneset do të kenë më të lehtë komunikimin mes vete përmes pakove PostPaid.
“Sot nënshkruam kontrata të reja me Universitetin e Mitrovicës dhe me disa biznese private dhe për këtë fakt, jam shumë i lumtur, sepse personeli universitar dhe stafi i bizneseve, i besuan dhe po i besojnë edhe më tutje Vala-s dhe për këtë arsye, do të përfitojnë nga shërbimet tona atraktive, të cilat do t’u ofrohen me çmime shumë të favorshme”, deklaroi Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Zeqir Kiqina.
Kompanitë mitrovicase që kaluan në Vala janë: “KRM “Uniteti” SH. A, “Tehnoburimi”, “Loshi Company SHPK”, “BTP Holding SH.P.K”, “NTP Loni Dekor”, “Sion Reisen”, etj.
Prorektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, dhe përfaqësuesit e këtyre bizneseve u shprehën të kënaqur me lidhjen e kontratave të reja, duke theksuar gjithashtu se, Vala ofron shërbime cilësore dhe të pakonkurrueshme, në krahasim me operatorët tjerë.
“Ne edhe në të kaluarën i kemi përdorur shërbimet e Valës, ndërsa sot lidhëm marrëveshje për shfrytëzimin e produkteve dhe shërbimeve të reja që do të na lehtësojnë komunikimin, e rrjedhimisht edhe realizimin e punëve dhe detyrave tona të përditshme”, tha Ali Sahiti, prorektor i Universitetit të Mitrovicës.
Pavarësisht rrethanave aktuale dhe vështirësive financiare me të cilat po përballet Telekomi i Kosovës, U.D. i KE, edhe një herë u shpreh optimist se, Menaxhmenti Ekzekutiv dhe punonjësit e Telekomit të Kosovës, do të arrijnë që, me angazhimin dhe përkushtimin maksimal, të fuqizojnë imazhin e kompanisë, duke ia rikthyer konsumatorët e dikurshëm dhe duke fituar konsumatorë të rinj.
Këtë zotim U.D. i KE e përcolli edhe tek punonjësit e regjionit të Mitrovicës gjatë vizitës në ambientet e punës duke u siguruar mbështetje në arritjen e objektivave, në zgjerimin e rrjetit si dhe në zhvillimin e produkteve të reja për të plotësuar kështu nevojat e konsumatorëve.