Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur për qeverisjen e tij të deritanishme duke e vlerësuar si pozitive.
“Ne kemi vendosë standarde të reja, kemi premtuar qeverisje të re në Vushtrri, në koncept dhe në mënyrën e qeverisjes dhe këtë po e implementojmë që nga dita e parë”.
“Kemi filluar realizimin e çdo premtimi që e kemi dhënë. Kemi premtuar Zonën Ekonomike të cilën e kemi realizuar për gjashtë muaj, në afat rekord”.
“Kemi siguruar buxhetin nga Kuvendi, kemi siguruar të gjitha lejet dhe është licencuar Zona Ekonomike që është një projekt që do të gjenerojë 1000 vende të punës”.
“PDK e ka ruajtur që t’ia japë njerëzve të vet ‘të fuqishëm’. Ata që e kanë ruajtur tokën, sot janë të zhgënjyer sepse ajo tokë iu është kthyer qytetarëve të Vushtrrisë dhe do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik”.
Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur edhe për transparencën, ndonëse Shpresa Rama nga PDK-ja pati shumë kritika për mungesë të saj nga ana e kryetarit.
“Kemi premtuar transparencë të plotë dhe jam kryetari i vetëm në gjithë Kosovën që e publikoj çdo vendim dhe çdo shpenzim në baza javore”.
“Kam vendosur standard të ri dhe do të doja që të gjithë kryetarët e komunave ta njihnin këtë meritë”.
“Edhe mëditjet, drekat e darkat dhe çdo shpenzim tjetër e bëj publik. Kurdo që ndonjë shpenzim harrohet, do ta korrektojmë në fund të muajit”.
“Kam vendosë standard në transparencë për qytetarët – duke hapur derën dhe duke i pritur ata çdo ditë. Unë deri në mesnatë komunikoj me qytetarët e Vushtrrisë, edhe përmes rrjeteve sociale”.
Ai ka folur edhe për problemin me mungesës së ujit për qytetarët e Vushtrrisë.
“Kam themeluar Task-Forcë për ta kontrolluar keqpërdorimin e ujit. Fabrika e Ujit është një projekt kriminal, sepse fabrika sot nuk ka kapacitete”.
“Nga qeverisja e PDK-së në Fabrikën e Ujit janë investuar 9 milionë euro dhe sot qytetari i Vushtrrisë prapë ka probleme me ujë. Kjo fabrikë nuk punon me kapacitete të plota, sepse rezervuari i fabrikës është vendosur në një pikë të ulët”.
“Kam premtuar që do t’i adresojmë keqpërdorimet dhe kemi themeluar Task-Forcë ku janë edhe Policia e Kosovës dhe Ujësjellësi”.
“Nuk e kemi shkopin magjik që ta zgjidhim këtë problem për gjashtë muaj”.
Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme: