Vënia e eskavatorëve në funksion për të rrënuar një pjesë të Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” ka nxitur reagime e kundër reagime nga pjesëtarë të pozitës e opozitës në Komunën e Vushtrrisë.
Ky projekt që parasheh rrënimin e pjesërishëm të këtij objekti është kundërshtuar në të kaluarën nga opozita por kundërshtimet kanë ardhur edhe tani kur po fillon implementimi i këtij projekti.
Është Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, ai i cili përmes një postimi në llogarinë e tij të facebookut ka treguar për veprimet e pushtetit të kaluar për tenderimin e këtij projekti i cili ka filluar të jetësohet qysh sot.
Ai ka shkruar se tenderimi i këtij projekti është bërë gjatë qeverisjes së kaluar dhe shpallja e fituesit vetëm pak ditë para se ai të merrte edhe zyrtarisht postin e kryetarit të Vushtrrisë.
Poashtu i pari i Vushtrrisë ka thënë se po në atë vend dikur projektoheshin banesa kolektive dhe kjo nuk është arritur falë reagimit qytetar dhe të LDK-së në Kuvendin e Komunës.
Tahiri ka ofruar edhe një sërë dokumentesh për të vërtetuar pretendimet e tij.