Gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, Lasgush Poradeci përmendej në libra si poet i viteve 1930. Mes tij dhe regjimit ekzistonte një marrëdhënie e çuditshme që prodhonte në jetën e poetit persekutim deri në sfilitje. Në dukje ai ishte lënë në harresë, një i vdekur për së gjalli, duke i përmendur vetëm veprën e viteve të paraluftës. Pas luftës, në vitet 1944- 1947, vitet e zhdukjes në masë të gjithë ajkës intelektuale të Shqipërisë, poeti brilant jetonte në kryeqytet me të shoqen si i papunë.
Për Lasgushin, poetin e përjetësive, shkencëtarin e doktoruar në Graz, regjimi kishte gjetur veç një mundësi punësimi tejet jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave. Pas kësaj, për t’ia ulur qafën e për t’ia mbajtur shpirtin ndër dhëmbë, e punësuan si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri”, ku punoi deri në vitin 1974, vit kur edhe doli në pension.