Sikur zyrtarë të Ministrisë së Kulturës të ishin më vigjilent ndaj një kërkese të ardhur nga përmbaruesit që janë angazhuar nga dy kompani kontraktuese të ministrisë, do të mund të mbronin 157 mijë euro të buxhetin e shtetit. Por neglizhenca e tyre ia ka humbur këto para. Tash rasti pritet t’i kalojë prokurorisë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është minus 157 mijë euro. Ia kanë marrë përmbaruesit privat, që janë angazhuar nga dy kompani private. Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës që janë të thirrur që t’i përgjigjen kërkesave të tilla që bëjnë kompanitë, thjesht e kanë injoruar procesin dhe kanë shkelur afatet ligjore. E kur afatet ligjore janë tejkaluar, paratë i janë marrë automatikisht.
Bëhet fjalë për dy kompani të cilat ishin kontraktuar nga Ministria e Kulturës por nuk ua kanë paguar avancin e parave të kërkuara sipas ligjit. Për këtë arsye, kompanitë “N.P.N Favor – Ing” dhe “Euro Albi SH.P.K”, kishin angazhuar përmbarues që t’i nxjerrin paratë. E para ka arritur t’ia marrë MKRS-së 30 mijë euro ndërsa e dyta 127 mijë euro.
E për këtë humbje, në Ministrinë e Kulturës është formuar edhe një komision disiplinor ndaj këtyre zyrtarëve. Me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm, Veton Firzi ishte krijuar një komision me përbërje Bislim Bislimi, Atdhe Lila dhe Shkurte Kadriu.