NEHAT ISLAMI
MILANO, DHJETOR 1966
Në rrugën “Alesandro Paoli”, në atë çerdhe artistësh, të rrethuar nga të gjitha anët me rrokaqiej dyzet e sa katesh, ku dielli i Milanos nuk duket shpesh, jeton Ibrahim Kodra, piktori më i madh shqiptar i ditëve tona, i cili në këtë qytet dymilionësh zuri vend qysh në vitin 1938, si bursist i Nënës Mbretëreshë, në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, prej nga kaloi në Milano. “Ibrahim Kodra është prijatar i një qytetërimi të ri”, tha poeti Pol Eluari në gazetën “Unita”, në vitin 1947, atëherë kur ky piktor sapo kishte filluar të dukej në arenën e artit bashkëkohor italian.
Pesë vjet më parë, Kodra e kishte kryer Akademinë e Arteve të Bukura “Brera” në Milano, te profesori dhe piktori i madh Karlo Karrahu. Ai do të shpërthente shumë më herët në sipërfaqe po të mos e pengonin lufta dhe fashizmi. Gjatë ditëve më të vështira, atelieja e piktorit të ri shërbente edhe si depo e municionit të forcave partizane të rezistencës. Në atë ambient edhe lindën pikturat, të cilat menjëherë mbas luftës e bënë të njohur jo vetëm në Itali, por edhe në shumë shtete të Evropës. Piktura italiane, që shekuj me radhë qe avangarde, vendnumëronte me një numër të madh artistësh që merreshin me të. Një ditë, të gjitha gazetat e vendit kumtuan në faqet e para se lindi ajo çka kërkonte koha – grupi avangardë “Oltre Guernika” (përtej Guernikës) me Enio Molotin, Bruno Kasinarin, Gjani Testarin dhe Ibrahim Kodrën.
Të cytur prej nevojës që të jenë sa më kuptimplotë, ata e thyen rrugën tradicionale të pikturës italiane, duke kërkuar një hapësirë internacionale me elemente të reja. “Tani që shkatërruam formën, kemi krijuar një pikturë të mbështetur te ngjyra dhe drita, duke u përpjekur ta harrojmë të kaluarën”, pati deklaruar Kodra. Nuk vonoi e në qarqet italiane shpërtheu edhe një sensacion: Më 1947 lindi grupi avangardë “Gropo di linea”, në krye me Ibrahim Kodrën, Doven dhe Melonin. Një vit më vonë, miku i tij Pikaso, deklaroi: “Pres shumë nga Ibrahim Kodra”.
Ndërsa poeti francez, Pol Eluar, gjithashtu mik i tij, deklaroi në shtypin francez: “Kodra është zanafillë e një qytetërimi të ri”. Ibrahim Kodra punonte me vrullin më të madh. Duke eksperimentuar në kubizëm e më vonë edhe në abstraksionizëm, gjeti fillin e stilit të vet të gërshetuar me lirizëm dhe fantazi frenuese. Shprehja e tij poetike në pikturë filloi me njeriun dhe shoqërinë. Nuk vonoi shumë dhe Marko Valseki, kritiku më i madh i artit të pikturës të Italisë, shkroi me rastin e ekspozitës së pavarur të Kodrës në Milano: “Mund të thuhet se Kodra, ndër trajtat e kubizmit të vonë të pasluftës, ka gjetur leskrat vezullore të mozaikëve bizantinë, shkëlqimet e xhamive të vjetra e tufat përrallore të barinjve që mrizojnë mbi shpatet e Olimpit.
Kjo ekspozitë duhet shënuar në kalendar me ngjyrë të kuqe…”. Opinioni evropian filloi të interesohej me të madhe për Kodrën, posaçërisht mbas botimit të librit “Edhe Italia ka fituar”, kushtuar forcave të rezistencës, ku u botuan pikturat e Birkolit, Kodrës dhe Vedovës. Ecim nëpër bulevardet e Milanos. Nuk i vërehet asnjë fije lodhjeje, me gjithë moshën. “Që nga fëmijëria jam marrë me sport. Në Shqipëri kam qenë kampion i hedhjes së diskut. Edhe sot notoj me orë të tëra”, rrëfen Kodra. Ai përpiqet t’i zgjedhë restorantet më pikante të Milanos për një gazetar shqiptar, të dalë për herë të parë përtej kufirit. “A ha mish mëzi?”, me pyet.
“Në Itali është specialitet, kurse te ne, me sa mbaj në mend, nuk e honepsin, sepse nuk bëhet në tavë. Ai zihet me orë. Çdo çast pyet për Kosovën dhe vitet tona të rënda. “Shpesh kemi llafosur me Ernest Koliqin për ju. Ai e njeh shumë mirë Kosovën”. Çmimi i parë “Lisone”, që iu dha në vitin 1952 për një kompozicion, e çeli rrugën edhe për shtatëmbëdhjetë çmime të tjera italiane dhe ndërkombëtare për Ibrahim Kodrën, shumica e të cilave janë çmime të para. Kështu, më 1963 tërë vendi e përshëndeti ngrohtësisht vendimin e jurisë, e cila ia dha atij çmimin e parë “Eriqe” në ekspozitën e piktorëve më të mëdhenj të Italisë, që u mbajt në Sicili për punimin “Variacione lirike”.
Dy vjet më vonë, përsëri e tërë Italia i drejtoi sytë nga Ibrahim Kodra, kur iu dha çmimi më i lartë për pikturë “Agrigjente” më harfë të artë. Po atë vit iu dha edhe një çmim i parë për arkitekturë, përkatësisht për zgjidhjen e një mauzoleu për një sportist të shquar të Italisë. Thuajse Kodra është i parapaguar për çmimin e parë dhe të dytë nëpër të gjitha ekspozitat. Këtë vit “Galeria del grataccielo” e Milanos e shpërblen me çmim të dytë internacional për pikturën “Autoportreti”.
Këto ditë prej Kantus, afër Milanos, mbërriti edhe një shpërblim për Kodrën – çmimi i parë nga ekspozita e grafikës “Bardh e zi”. Duke llafosur për miqtë e tij, Kodra disa herë e veçoi Shagallin dhe Henri Matiasin, si dy piktorë që veçoheshin me tipare të fjalës “alla malësorçe”. Qindra piktura e skulptura të tij tash janë shpërndarë nëpër galeritë më të mëdha të botës si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Angli, SHBA, Japoni, BRSS, Brazil, Spanjë, Greqi e gjetiu, ndërsa pikturën e tij të madhe “Paqja” e bleu vitin e kaluar Papa dhe e vendosi ne lokalet e Vatikanit. Plot tri ditë i kaluam bashkë në atelienë e tij dhe në shëtitje të gjata në kuartet e bukura të Milanos.
Nga përshëndetjet e ngrohta të kalimtarëve, kisha përshtypjen se e njihte i tërë qyteti ku po banonte plot 30 vjet. “Dinamizmi i jetës dhe automatizmi e kanë shtangur njeriun”, fliste Kodra, ndërsa po e shikonim një pikturë me fytyra njerëzish në forma precize gjeometrike. “Kjo unazë gati e pavërejtur e diellit e simbolizon shpresën për ditë më të mira, ndërsa instrumentet muzikore mbi duart e tyre janë liria e dëshiruar shpirtërore”. “Cilat ngjyra ju pëlqejnë?”, e pyes.
“Më pëlqen ngjyra e detit, e tokës, e zjarrit dhe e erës. Pra, më pëlqejnë të gjitha, sepse secila ngjyrë në shpirt paraqet diçka, kall ndonjë kujtim, lind ndonjë dëshirë”. Stili i sotshëm i Kodrës është ai që kërkon disiplinën më të madhe të formës për të mbërritur në thjeshtësimin më të imtë të trajtave. Është shumë vështirë të gjendet sot në botë një stil i tillë me elemente aq të sigurta të kryqëzimeve me lirizëm si te Kodra. Figurat e pikturave të tij u përngjajnë trajtave të robotit ose totemit dhe duket se burojnë nga thjeshtësia e këngës së fëmijës. Në anën tjetër duken të pikëlluara, sepse ato “ngrihen nga Olimpi”, për të kërkuar një ligj të ri të jetës për njerë- zimin e sotshëm. Banesa e tij tredhomëshe të përkujton ndonjë galeri të madhe me plot piktura e skulptura të ndryshme. Gjithkah janë të shqepura revista dhe gazeta nga e gjithë bota, të cilët shkruajnë për të: secila duke filluar me Ibrahim Kodrën, “piktor i madh shqiptar, doajen i avangardës së pikturave italiane të pasluftës…”.
Duke i shfletuar dhjetë albumet e mëdha të tij me artikuj e kritika që e çmojnë në superlativ, i bëra një pyetje “pa doreza”. “Italianët Ju konsiderojnë piktor të tyre?” “Unë punoj me ta, por dihet se çka jam. Së paku, tërë bota më njeh se jam shqiptar”. Gjatë bisedës, kur e pyeta se a do të kishte dëshirë të vinte në Prishtinë për ta hapur ekspozitën e parë në tokën arbërore, ai ndihej thuajse po i paloste pikturat për atë udhëtim aq shumë të dëshiruar, që e kishte mbajtur thellë në zemër me dhembje të palosur si të jetimit të ngelur pa nënë që në moshën trevjeçare, çfarë ishte. “Kurdo qoftë, unë do të jem i gatshëm për të ardhur menjëherë, por edhe nëse do t’i kem terminët e zënë me ekspozita të tjera, do të hiqja dorë prej tyre. Kosova është ëndrra dhe dhembja ime”. Në ndarje edhe një herë ma përsëriti këtë dëshirë të madhe. /“RILINDJA”, 11 DHJETOR 1966/