Në kuadër të Javës së Mjedisit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka prezantuar sot lansimin e softverit për të dhënat rreth cilësisë së ajrit.
Me rastin e lansimit të këtij softveri ministrja Reshitaj u shpreh e kënaqur që tani qytetaret do të informohen saktë dhe në kohë reale mbi cilësinë ë ajrit në disa komuna të Kosovës kurse MMPH-ja në bazë të vlerave të ndotësve për periudha të caktuara do të marrë vendime dhe masa drejt zvogëlimit dhe kontrollit të ndotjes së ajrit.
“Duke u bazuar në rëndësinë që ka informimi i qytetarëve për nivelin e ndotjes së ajrit dhe impaktin pozitiv në ndërgjegjësimin e tyre në mbrojtjen e ajrit nga ndotja si dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të transparencës e llogaridhënies sot po lansojmë softverin për cilësinë e ajrit në Kosovë”, deklaroi ministrja Reshitaj.
Ajo falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij softveri, Qeverinë Amerikane e cila përmes MMC-së po ndihmon në shtrirjen me të madhe gjeografike të sistemit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe investime në mirëmbajtje të stacioneve si dhe JICA-në Japoneze për kontributin e dhënë në ngritjen e kapaciteteve në stacionet për matjen e cilësisë së ajrit.
Ministrja Reshitaj deklaroi po ashtu se softveri që po lansohet sot, është plotësisht kompatibil me Indeksin e Kualitetit te Ajrit në Evropë dhe bënë monitorimin e 5 ndotësve kryesor i cili përben edhe indeksin e kualitetit të ajrit.
Në fund ministrja Reshitaj theksoi se në hap drejt avancimit të sistemit të informimit të publikut, MMPH-ja do të zhvilloj edhe aplikacionin për telefona ku qytetarët do të kenë informacion të drejtpërdrejt nga telefoni për indeksin e kualitetit të ajrit.
Linku për publik është: http://kosovo-airquality.com/ dhe këtu publiku ka qasje në të dhënat për secilin ndotës në kohë reale.
Meqë jemi në fazën testuese, softveri do të ketë përditësime dhe korrigjime prandaj ju lusim që të keni durim gjatë kësaj faze./Insajder/.