Shqipëria është vendi që harxhon më shumë për t’u ushqyer në krahasim me atë që prodhon ekonomia kombëtare për një vit. Sipas të dhënave të publikuara në tabelat e Eurostat, Shqipëria shpenzoi 32.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2016 për ushqime.
Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 29.4% të PBB-së, e ndjekur nga Mali i Zi me 22.8%, Bosnja me 21.5%, Maqedonia me 18.4%, Serbia me 16.5%.
Vetëm për bukë dhe drithëra, Shqipëria shpenzon 5% të asaj që prodhon ekonomia në një vit, sërish më e larta në Europë, nga 1.1% që është mesatarja e BE dhe 3.7% që është vendi i dytë pas nesh (Mali i Zi).
Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë shpenzon ai për ushqime, pasi ushqimi është një nevojë e domosdoshme dhe vetëm pas plotësimit të tyre, njerëzit mund të mendojnë për nevoja të tjera më pak jetësore, ku i fundit vjen argëtimi. Shpenzimet e larta për ushqime janë dhe një tregues indirekt i varfërisë relative në vend, pasi tregojnë sa të ulëta janë të ardhurat reale të shqiptarëve, teksa një pjesë e rëndësishme e tyre shkon për përmbushjen e nevojave bazë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë p.sh., se mesatarja e shpenzimeve të Bashkimit Europian për ushqime është vetëm 6% e PBB-së (pothuajse as sa shqiptarët shpenzojnë vetëm për bukë), ku më e ulëta është në Luksemburg dhe Irlandë, përkatësisht me 2.8 dhe 2.6% të PBB-së (shih grafikun e parë).
Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për ushqime në Shqipëri ishin 1,208 euro në vit, më të lartat në rajon, sipas Eurostat. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për ushqime në vlerë absolute, pasi është më i shtrenjtë (mesatarja e BE-së është 1,764 euro), por për shkak të të ardhurave të larta, kjo nuk rëndon në xhepat e tyre.
Po sipas Eurostat, rezulton që Shqipëria ka bërë hapa pas vitet e fundit, teksa shpenzimet për ushqime janë rritur në vite, nga 28.2% e PBB-së në 2007-n, në 32.4% në 2016-n.
Janë pikërisht të ardhurat e ulëta ato që bëjnë që konsumatorët shqiptarë të shpenzojnë më shumë për ushqim e pije jo alkoolike, dhe më pas të mendojnë për shëndetin, energji, argëtim, veshje, ngrohje etj., shkruan ‘monitor’.
Po sipas Eurostat, Shqipëria renditet një nga vendet e fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë, që në 2016-n u ul në 29% të mesatares së BE-së, e fundit në rajon.
Sipas peshave të shportës së konsumit të publikuara nga INSTAT, pasi harxhojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime (më e larta në Europë), familjarëve shqiptarë u mbeten 4.4% për Pije alkoolike dhe duhan; 4% për Veshje dhe këpucë; 20.7% për qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji; 6.5% për mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë; 3% për shëndetin; 6.2% për transportin; 2.5% për komunikimin; 2.6% për argëtim dhe kulturë; 2.5% për shërbimin arsimor; 2.9% për hotele, kafene dhe restorante; 4.7% për mallra dhe shërbime të ndryshme.