Deri në fund të vitit kosovarët mund të lëvizin pa viza.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka thënë se beson se kosovarët do ta respektojnë lirinë e lëvizjes. “Qytetarët tanë nuk duhet ta keqkuptojnë këtë, sepse liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune, mundësi studimi apo jete në BE”, ka thënë ajo. Ministrja ka thënë se do të ketë edhe kampanjë vetëdijësuese, por ajo që duhet të dihet është se me liberalizim të vizave qytetarët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Schengen 90 ditë brenda 6 muajsh.
“Pra brenda 6 muajve 90 ditë. Kam marrë pyetje se a mund të qëndrojnë njerëzit 90 ditë në Gjermani, 90 të tjera në Suedi, etj. Jo. Është fjala për 90 ditë brenda gjashtë muajve për zonën Schengen”, ka thënë ajo.
Në rast se keqpërdoret, Hoxha ka thënë se mund të suspendohet vendimi për viza.
“Unë nuk besoj që kjo do të ndodhë, sepse qytetarët tanë janë të përgjegjshëm. 96 për qind e atyre që kanë shkuar ilegalisht janë kthyer vullnetarisht”, ka thënë ajo.