Trupi i djegur i gjetur brenda një makine në Fushë-Krujë, mendohet se i përket një 57 vjeçari nga Kosova, i identifikuar si Xhafer Osmani.
Policia e Kosovës ka deklaruar se familjarët e tij e kanë denoncuar se kishte humbur, ndërsa Osmani, rezulton se është futur në Shqipëri në 29 prill 2018, shkruan Lapsi
Policia pohon se mbeten në pritje të rezultateve të ADN-së, për t’i ballafaquar me ato të familjes së tij.
LEXO EDHE: Fushë Krujë: Kosovari gjendet i vdekur në veturën e djegur
Burime thonë se ngjarja është drejt zbardhjes së plotë, ndërsa “Panorama” raporton se paraprakisht dyshohet se viktima kishte një lidhje dashurie me një femër në Fushë-Krujë.
Makina me targë të Kosovës 02 960 SN hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës më 29 prill. Sot, më 5 maj, automjeti u gjet i shkrumbuar mes barishteve në një tokë, në fshatin Derven të Fushë-Krujës, rreth 250 metra larg rrugës kryesore të automjeteve.
“Për momentin jemi duke bashkëpunuar me policinë e Kosovës, e cila na ka konfirmuar të na sjellë informacion dhe kampione biologjike të familjarëve të Xhafer Osmanit, me qëllim kryerjen e analizave të ADN për identifikimin e trupit të djegur plotësisht” – tha një burim nga policia.
Policia dyshon se bëhet fjalë për një vrasje e më pas djegie të automjetit me trupin brenda, për të fshehur gjurmët.Në një prononcim që pati më herët me Express, drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe, tha se policia dhe prokuroria e Durrësit është duke bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës, për shkak se lidhja e vetme që bëhet me këtë shtet janë targat.
“Specialistët për Krimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për identifikimin e personit të djegur dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes”, tha Policia në një njoftim paraprak.
Nuk dihet ende nëse personi është vrarë më parë me armë zjarri, apo nëse është djegur i gjallë brenda automjetit. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen