Po kalojnë 48 orë nga vrasja makabre e shtetasit të Kosovës në Fushë-Krujë por prokuroria ende nuk ka një të dyshuar konkret.
Xhafer Osmani, banor i Mitrovicës në Kosovë, rezulton të jetë dhunuar, vrarë dhe më pas, makinës bashkë me trupin e tij brenda i është vënë zjarri për të fshehur gjurmët.
Nga sekuencat filmike, të regjistruara rreth 2- 3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit, ndërsa ky i fundit dyshohet se qëndronte i lidhur në sediljen e pasme të automjetit.
Policia ka bërë me dije se automjeti i Osmanit është futur në rrugicën pranë karburantit rreth orës 10:00 të së shtunës, ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë tri orë më pas, rreth orës 13:00. Për të humbur gjurmët, autori e ka fshehur automjetin në një zonë më kallamishte dhe më pas e ka djegur atë.
Hetimet
Ende nuk ka një motiv të saktë për vrasjen e kosovarit 61-vjeçar, por Policia ka ngritur disa pista hetim. Aktualisht, po verifikohet ndonjë lidhje intime e Xhafer Osmanit në Shqipëri, çka mund të jetë bërë shkak për vrasjen makabër të tij.
Viktima dyshohet të jetë torturuar, çka lë të dyshohet se, ose autorët kanë pasur mllef të madh ose kanë dashur të nxirrnin ndonjë informacion nga 61-vjeçari. Paçka se në Kosovë rezulton person i pastër nga ana kriminale, Policia nuk po lë pa hetuar ndonjë lidhje me trafikantë të lëndëve narkotike këtu në Shqipëri.
Një tjetër pistë që po verifikohet është edhe ndonjë blerje prone apo ndonjë shitblerje që kosovari mund të ketë bërë këtu në Shqipëri me persona të ndryshëm. Policia ka shoqëruar disa persona në Komisariat, disa në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe të dyshuar për krimin, të cilët po merren në pyetje.
Nga ana tjetër, Policia po punon për zbardhjen e itinerarit dhe lëvizjet e Xhafer Osmanit në Shqipëri, për të mësuar më shumë mbi personat që ai ka takuar.