Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka pritur sot në takim, kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrri.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin institucional në mes të Komunës dhe Federatës për të avancuar futbollin vushtrrias.
Kryetari Tahiri e njoftoi, Vokrrin me projektet e komunës për vitin 2018 lidhur me investimet në stadiumin e futbollit në qytetin e Vushtrrisë.
“Për këtë vit përkrahja e Komunës së Vushtrrisë për klubin e futbollit FC Vushtrria do të jetë mbi 50 mijë Euro, përmes projekteve të ndryshme si renovimi i zhveshtoreve, pastaj fusha ndihmëse si dhe subvencionimi i klubit. Krejt kjo me shpresën që FC Vushtrria, këtë vit të rikthehet në Superligën e futbollit të Kosovës, aty ku meriton dhe ku e ka vendin.
Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së futbollit, shprehu mirënjohjen e tij për përkushtimin e Komunës së Vushtrrisë në mbështetje të futbollit të vushtrrias, e cila si në të kaluarën edhe tani është në një vatër e cila kultivon talente, që po lënë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare.
Me këtë rast, kryetari Vokrri në shenjë respekti i dhuroi kryetarit Tahiri fanellën e Kosovës me numrin 9.