Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Bajram Hasani, ka vendosur që ta bëjë me Zonë të Lirë Ekonomike edhe Vushtrrinë, me qellim të nxitjes dhe inkurajimit të investimeve. Kryetari Tahiri: Janë siguruar 1.2 milion euro për ZLE në Lumadh, raporton “Zeri.info”.
Përfundimisht komuna e Vushtrrisë është bërë me Zonë të Lirë Ekonomike, pasi që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka dhënë dritën e gjelbër për ndërtimin e parkut Industrial në Lumadh të Vushtrrisë.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Bajram Hasani, ka bërë të ditur se ka vendosur që komunën e Vushtrrisë ta bëjë me Zonë të Lirë Ekonomike, për të krijuar kushte më të mira për biznese.
“Vendimin e kam marrë me qellim për të krijuar kushte më të mira bizneseve. Me hapjen e kësaj zone do të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës, të cilit do të ndikojnë në zbutjen e varfërisë në komunën e Vushtrrisë. Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste. Në mënyrë që t’u krijojmë kushte sa më të mira investitorëve potencial, kam marrë vendim për themelimin e Zonës Ekonomike, respektivisht Parkut Industrial, në Lumadh, Komuna e Vushtrrisë duke u bazuar në faktin se kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi janë plotësuar”, ka thënë ministri Hasani, duke shtuar se prona e paluajtshme në të cilën themelohet Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh është e regjistruar në emër të komunës së Vushtrrisë dhe është në sipërfaqe prej 14.86,00 hektarë. Licencimin e Zonën së Lirë Ekonomike në Lumadh e ka konfirmuar edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tazhiri.
“Sot është licencuar zona ekonomike në Lummadh. Ky është lajm i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë. Buxheti prej 1.2 milion euro po ashtu është siguruar. Tani na pret një perspektivë më e mirë për punësim e zhvillim në sektorin privat. Zona ekonomike është në qendër të programit ekonomik të qeverisjes së re”, tha Tahiri, raporton “Zeri.info”.
Ai ka ripërsëritur se në një sipërfaqe prej 14 hektarësh, që gjendët buzë rrugës rajonale Vushtrri – Prishtinë, do të vendoset një numër i bizneseve vushtrriase, por edhe nga rajonet e tjera të vendit, pasi që hapësira krijon kushte ideale për zhvillimin e të gjitha veprimtarive të bizneseve.
Në prezantimin e projektit të Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh, kryetari i komunës Xhafer Tahiri ka folur për investimet që do të bëhen aty.
“Në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, që përfshin një hapësirë prej 14 hektarëve, synojmë t’i punësojmë 1000 persona”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se tashmë nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh.
“Punësimin e njerëzve e bëjnë bizneset, ndërsa komuna është këtu që t’u krijojë kushte sa më të mira bizneseve për rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese e shërbyese”, tha kryetari Tahiri.
Paraprakisht, kryetari i Vushtrrisë ka marrë pëlqimin edhe të banorëve të fshatrave Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, duke premtuar se përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave.
Kryetari Tahiri tha se Komuna është shumë e interesuar që të krijojë kushte të favorshme dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve në Vushtrri, “sepse ato janë bartëse të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik lokal dhe se Komuna do të bashkëpunojë me të gjitha organizatat që mbështesin fuqizimin e bizneseve”.
“Kemi tanimë projektin për Zonën e Lirë Ekonomike në Lumadh, një hapësirë shumë e përshtatshme për veprimtari të ndryshme ekonomike, ndërsa sa për të filluar me projektin kemi gjetur edhe mbështetje financiare. Kemi iniciativa dhe mbështetje edhe nga organizata dhe nga donatorë për përkrahjen e projekteve për bizneset, duke përfshirë edhe bizneset e bujqësisë”, tha Tahiri, duke folur për zhvillimet e deritashme për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumadh. /ZËRI/