Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Namani, kanë vizituar shkollën fillore “Bahri Kuqi”, në fshatin Shtruerë, ku janë duke u bërë punime për renovimin e kësaj shkolle.
Me këtë rast, kryetari Tahiri ka përgëzuar kolektivin e shkollës për punën që janë duke e bërë për renovimin e shkollës, sidomos nga vet fakti se iniciativa është ndërmarrë nga vet kolektivi i kësaj shkolle, së bashku me komunitetin e dy fshatrava, Shtruerë dhe Dolak.
“Është një punë e mirë e cila po bëhet këtu në renovimin e shkollës suaj, dhe është me rëndësi të marrim këso iniciativash nga se siç po shihet këtu, çdo iniciativë e tillë është e mirë dhe e dobishme dhe nxënësit e kësaj shkolle do të mësojnë në kushte më të mira”, tha kryetari Xhafer Tahiri.
Ndërkaq, drejtori i shkollës, Bilall Pllana, tregoi se kjo iniciativë ka filluar bashkarisht me Këshillin e Shkollës dhe me banorët e fshatrave Shtruerë dhe Dolak, të cilët kan mbledhur mjete financiare për të blerë materialin për meremetim. Meremetimi po bëhet pikërisht në kohën kur nxënësit janë në pushimin pranveror.
“Sipas mundësive financiare, banorët e këtyre dy fshatrave kanë mbledhur mjete, kurse punët fizike janë duke i kryer vet arsimtarët e shkollës, por edhe banorët, kurse një ndihmë po ashtu në sigurimin e materialit dhe punëve fizike i ka kryer edhe kompania ‘Djemt e Lanit’, si dhe ushqim është siguruar nga vet banorët”, theksoi Pllana.
Ai ka falënderuar të gjithë që kanë kontribuuar në realizimin e këtyre punëve.
Sipas drejtorit Pllana, sot do të finalizohen punët dhe shkolla do të jetë e gatshme të martën për të filluar procesin mësimor.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se pas meremetimit të brendshëm që po bëhet, gjatë kësaj vere komuna do të investojë në meremetimin e jashtëm të objektit, në izolimin dhe fasadimin e jashtëm të shkollës. /Veriu.info/