Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë të mbajtur sot, kanë marrë pjesë mysafirë të veçantë nga Kuvendi i Komunës Vaxjo të Suedisë, me të cilin qytet Komuna e Vushtrrisë ka një bashkëpunim të ngushtë.
Në mbledhjen e kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Nasuf Aliu, përfaqësuesi i Kuvendit të Komunës së qytetit Vaxjo të Suedisë Benny Johansson, ka folur për bashkëpunimit tashmë disa vjeçar mes dy komunave. Ai tha se Kuvendi i Vushtrrisë nga bashkëpunimi i deritanishëm është duke marr përvoja të mira nga Suedia.
Për gjithë bashkëpunimin e deritanishëm dhe në shumë fusha, të Komunës Vaxjo të Suedisë me Komunën e Vushtrrisë, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar, përfaqësuesin e Kuvendit të Komunës Vaxjo të Suedisë, Johansson, të cili i ka ndarë edhe një mirënjohje.
Në këtë seancë të rregullt, Kuvendi i Vushtrrisë ka shqyrtuar çështje me interes të qytetarëve, e në mesin e tyre edhe projektin e Zonës ekonomike në Lumadh.
Kryetari Tahiri ka njoftuar Kuvendin për licencimin e Zonës ekonomike në Lumadh, të cilin e ka cilësuar si projektin më të madh të zhvillimit ekonomik në 20 vitet e fundit. Lidhur me këtë çështje, Kuvendi ka aprovuar vendim me të cilin ka kërkuar që Komuna të udhëheq më procedurat për Zonën ekonomike.