Në një seancë të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, u dhanë fjalët përfundimtare ndaj akuzave për krime lufte ndaj Zoran Vukotic i cili akuzohet për krimet e luftës në Vushtrri dhe në veçanti krimet e kryera gjatë masakrës së 2 majit 1999.
Në fjalën e tij përfundimtare, të cilën e ka dhënë në formë të shkruar Prokurori Special i EULEX-it, Paul Flynn ka kërkuar dënimin dhe shpalljen fajtor të Vukotic.
Sipas fjalës përfundimtare të prokurorit, e cila u lexua gjatë seancës Vukotic ka marrë pjesë në krime lufte dhe disa vrasje si vrasjen e Adnan Bunjaku dhe Eshref Raqices si dhe një 14 vjeçarit të paidentifikuar nga Gjykata. Dhe këto nuk janë vrasjet e vetme që kreu Vukotic sipas Prokurorit Special të EULEX-it. Vukotic sipas dëshmitarëve akuzohet po ashtu që ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore shqiptarë në burgun e Smrekonicës.
Mbrojtësi i viktimave kërkoi edhe kompensimin material e juridik për dëmet ndaj viktimave. Derisa aktgjykimi final ndaj tij pritet të shpallet në fund të muajit maj në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.