Britania e Madhe po ndërmerr hapa konkrete për ta ndarë Serbinë nga Rusia dhe për t’i siguruar Kosovës vend në Kombet e Bashkuara, shkruan një portal serb.
Nga Londra vjen një porosi e drejtpërdrejtë për Beogradin, por edhe të gjitha vendet të cilat mund të shqyrtojnë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës; “Do ta shkelim çdo vend i cili e përkrahë Serbinë në lidhje me Kosovën!”, shkruan portali serb “Srbija danas”.
Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se ka marrë një informatë se një vend, anëtar i BE dhe anëtari i përhershëm e Këshillit të Sigurimit të KB, do të dërgojë protestë për çdo vend i cili në të ardhmen mendon ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Dje kam marrë një informatë se përfaqësuesi i një vendi anëtar i përhershëm i KB dhe i Evropës, i ka thënë misionit tonë në Nju Jork se është i irrituar me qasjen e Serbisë në atë se po insiston që disa vende ta tërheqin njohjen e Kosovës, dhe se kjo është në kundërshtim me qëndrimet e tyre, se kjo çështje është e kryer dhe se ai vend do të paraqesë protestë të gjitha vendeve të cilat e tërheqin njohjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq.
Megjithatë, portali pretendon se ka marrë vesh nga qarqet diplomatike se këtë porosi e ka dërguar një përfaqësues i lartë i Britanisë së Madhe në KB, duke shtuar se nuk duhet dyshuar se ky qëndrim i Londrës është rënë dakord me Uashingtonin i cili është duke insistuar që Kosova ta fitojë ulësen në Kombet e Bashkuara.