Mediat e Koresë së Jugut kanë raportuar se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u ka dërguar mesazh SHBA-ve se është i gatshëm të lejojë ardhjen e inspektorëve ndërkombëtarë për të konfirmuar procesin e denuklearizimit në Korenë e Veriut, transmeton Anadolu Agency.
Gazeta “Dong-A Ilbo” thekson se udhëheqësi veri-korean ka shprehur gatishmërinë për të lejuar punën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Korenë e Veriut, gjë të cilën analistët deri para disa javësh e konsideronin si skenarë të pamundur.
Duke cituar zyrtarët e inteligjencës së Koresë së Jugut, mediat në Seul raportojnë se Kim Jong-un është përgjigjur pozitivisht propozimit për përfshirjen e inspektorëve ndërkombëtarë, të cilën gjatë takimit të fundit ia kishte potencuar drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Qendrore amerikane (CIA), Mike Pompeo.
Regjimi i Koresë së Veriut javën e kaluar deklarativisht theksoi se heqin dorë nga zhvillimi i programit bërthamor dhe balistik, por në mesazhin e dërguar nuk u përmend edhe procesi i denuklearizimit dhe shkatërrimi i kokave bërthamore.
Mbrëmë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se Koreja e Veriut ka shprehur gatishmërinë e plotë për të zbatuar denuklearizimin.
Detaje shtesë në lidhje me planet e regjimit të Koresë së Veriut, opinioni do të mësojë të premten, kur edhe pritet takimi i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-u,n me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.