Me një shqipe të shkëlqyer, të cilën e ka mësuar nga dy pedagoget ruse që kishin jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina, studiuesi bjellorus, Aleksandër Novik, rrëfen një nga zbulimet më të mëdha në Rusi të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes…
Por, në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, në Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla. Në fillim, kur arkeologët zbuluan objektet me mbishkrimet shqipe, i krahasuan me Alfabetin e Elbasanit dhe u mendua se ishte një alfabet që shqiptarët e Ukrainës e kishin marrë me vete.
Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur. Për shumë vite, kjo histori ka qenë e panjohur, jo vetëm për shoqërinë ruse, por edhe për shkencëtarë dhe specialistë në fusha të ndryshme të disiplinave humanitare.
Zbulimi i 200 tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe ka tronditur tashmë opinionin shkencor, ndërkohë që sot në muzetë ruse numërohen rreth 300 copë të ngjashme. Fakti që për dy shekuj mërgimi në Rusi dhe tre shekujt të tjerë në Bullgari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur identitetin, traditat dhe gjuhën shqipe, nuk ka befasuar vetëm studiuesin e njohur Aleksandër Novik, por edhe albanologë të tjerë të huaj.
“Tre vitet e fundit unë shkova bashkë me studentët e kolegët e mi në jug të Rusisë, në brigjet e detit Azov, në rajonin e Ostovit. Në fund të shekullit të XVIII në këtë vend ishin në themeluar disa fshatra, domethënë Margaritovo, Epirski, Albanski, domethënë fshati i albanëve, i shqiptarëve. Para 20 vjetësh arkeologu rus Midriz Injuk ka zbuluar disa tulla me mbishkrime të sistemit të vjetër të shqipes”, thotë ai. “Themeluesi i fshatit Margariti mendohet se ishte shqiptar nga Kreta dhe ai ka marrë shumë tokë nga qeveria ruse për shërbimin e tij në ushtri dhe kishte afërsisht 200 kilometra tokë. Kështu ai ka organizuar një ndërmarrje të tillë që ta rrethonte një pjesë të madhe me tulla dhe në çdo tullë të kishte një shenjë, shkronjë shqipe”.
Pas këtij zbulimi që bëri bujë në Moskë në vitin 2015, arkeologu Dmitry Zenyuk në një konferencë për mediat është shprehur se: “Në fakt, ky është një zbulim që u bë për një kohë shumë të gjatë. Tulla e parë e ngjashme që kam gjetur ishte kur isha nxënës në klasën e tretë. Ndërsa në këtë moment nga zbulimet e bëra tulla të tilla njihen me rreth 300 kopje…. Është e mahnitshme! Në botë mbijetojnë disa shembuj të përdorimit të alfabetit të vdekur të shqipes në arkivat shtetërore në Tiranë, ku një nga ato është ‘Bibla e Anonimit të Elbasanit’ dhe disa letra nga tregtarët dhe artizanët nga Elbasani të afërmit e tyre të mërguar. Prandaj gjetjet nga fshati Margaritovo janë me interes serioz shkencor!”. /Shqiptarja/.