Një qytet i vogël i Shqipërisë, i hapi dyert për një vepër të madhe skulpturore. Në Librazhd dy koka shpërfaqin dhembjen dhe të vërtetën e një kohe të ligë – fatin e poetëve nën diktaturë. Vepra me vlera të mëdha artistike, “Dy poetët martirë”, është punuar nga profesori dhe mjeshtri i skulpturës, Sadik Spahija.
Komunizmi imponoi edhe rrjedhat artistike. Nga viti 1945 e deri në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, realizmi socialist (socrealizmi) idealizonte komunizmin, emancipimin e proletariatit, heronjtë e luftës dhe të klasës punëtore. Shteti i parë komunist që hoqi dorë nga kjo doktrinë, më 1952, ishte Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Pra, socrealizmi, për dallim nga Shqipëria, nuk zbatohej në Kosovën dikur si pjesë e kësaj Federate jugosllave.
Por, mbas luftës së fundit të shqiptarëve të Kosovës, më 1999, këtë vend e vërshuan përmendoret e punuara pa shije, keq, dhe në stilin socrealist që nuk përkojnë fare me të trendet e sotme. Në shumë raste nuk janë respektuar as rregullat e anatomisë së trupit të njeriut, siç është ndër të tjera rasti me statujën e Bill Clintonit në Prishtinë apo atë të Adem Jasharit në Malishevë.
Për dallim nga ky realitet sa diletant aq edhe qesharak, vepra “Dy poetët martirë” shpërfaq estetikën dhe modernen: dy koka të dy emrave me vlerë në letrat shqipe, të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Ata u ndanë nga jeta me dhunë më 17 korrik 1977, kur pushkatohen nën akuzat për sabotim ekonomik, përmbysje të pushtetit popullor dhe për agjitacion e propagandë.
Sadik Spahija, që konsiderohet si një nga skulptorët më të mëdhenj bashkëkohor shqiptar, shmang patetizmin në veprën e tij. Ai krijon kokat e prera si monument. Sepse, në fakt ishte koka e poetëve, talenti dhe dija që nuk i donte regjimi. Këto koka që rrethohen nga uji, shpërfaqin edhe shterpësinë shpirtërore të një sistemi, që ekzekuton pa mëshirë dhe që poezinë, pra të bukurën, e përdor si akuzë. Blloshmi kishte shkruar poezinë “Saharaja”. Sipas regjimit komunist, me këtë poezi ai paraqiste Shqipërinë si shkretëtirë, bosh, pa miq e pa shokë.
Sadik Spahija u lind më 1959 Shkodër. Më 1983 diplomon në Tiranë, për Skulpturë. Në vitet 1983-1989 jep mësim në Liceun Artistik “Prenk Jakova” të Shkodrës, ndërkaq nga viti 1989 emërohet profesor në Akademinë e Arteve të Tiranës. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita individuale dhe kolektive, si në vend ashtu edhe në botë. Është fitues edhe i shumë çmimeve të rëndësishme. Veprat e tij shihen në Shkodër (Monumenti “2 prilli”), në Peshkopi (shtatorja e Skënderbeut, monumenti “Të persekutuarit politikë”, bustet e Elez Isufit, Dom Nikollë Kaçorrit dhe Haxhi Vehbi Dibrës), në Tushemisht të Pogradecit (Teta Olga), në Lezhë (shtatorja e Ndre Mjedës), në Tuz të Malit të Zi (shtatorja e Nënës Tereze), dhe në disa basorelieve të Tiranës…