Në vazhdën e takimeve dhe vizitave në kompanitë që merren me ofrimin e shërbimeve digjitale, me qëllim të bashkëpunimit me këtë sektor të rëndësishëm ekonomik, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka vizituar kompaninë “Hallakate”.
Gjatë bashkëbisedimit me pronarin e kësaj kompanie Valon Canhasi, ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë që ka përkrahja e këtij sektori në aspektin e rregullimit ligjor të fushës së inovacionit.
Në këtë kuadër, ministri Beqaj, ka thënë se MIN që nga themelimi është angazhuar në rregullimin ligjor të kësaj fushe, duke përmendur themelimin e Këshillit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, nisjen e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe hartimin e Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, që do të fillojë së shpejti.
“Një numër i madh i ndërmarrjeve kosovare janë duke vepruar në këto mediume digjitale tejet të popullarizuara, dhe mbrapa të gjitha postimeve të tyre qëndrojnë burime njerëzore të specializuara të cilat i udhëzojnë bizneset të veprojnë drejt dhe të përdorin në mënyrë sa me efektive mjetet e promovimit të cilat i ofrojnë rrjetet sociale”, tha me këtë rast ministri Beqaj.
Ministri Besim Beqaj ka folur edhe për fondin për inovacion dhe ndërmarrësi që do të fillojë të ndahet së shpejti, si dhe për bashkëpunimi me donatorët që mundësojnë rritjen e fondit që është paraparë të ndahet nga MIN, bashkëpunim ky që fondin do ta rrisë dhe do ta bëjë shumë kredibil.
Ndërsa Valon Canhasi ka informuar ministrin Beqaj për sukseset e shpejta të kompanisë “Hallakate” në fushën e ofrimit të shërbimeve digjitale për kompani të mëdha të Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat po përballet ky sektor.
Ai ka thënë së “Hallakate” është kompani e re e themeluar para një vit, por me punën e saj ka arritur sukses të mëdha në fushën e ofrimit të shërbimeve digjitale për kompanitë kosovare, në ofrimin e konsulencës për promovim në mediat sociale dhe zhvillim të programeve promovuse për bizneset. /Telegrafi/