Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, teksa ka raportuar para komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka konsideruar se PK-ja ka arritur ta përmbyllë vitin 2017 me një sukses mjaft te dukshëm, raporton zeri.info.
Me këtë rast, Maxhuni ka bërë të ditur se numri i veprave penale ka shënuar një rënie të lehtë, krahasuar me vitin 2016.
“Sa i përket punës se PK-së për vitin 2017, kemi arritur që të kemi sukses në rezultate konkrete thuajse në të gjitha aspektet. Kemi arritur të kemi sukses në parandalimin e të gjitha dukurive që janë të dëmshme për vendin tonë”, ka deklaruar ai. Ndërkohë, ka njoftuar se numri i vrasjeve ka shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Ndërsa edhe përkundër një mori masash që ne kemi marrë, kemi një ngritje të lehtë të vrasjeve, kemi një vrasje më shumë se vitin paraprak. Viti 2017 është përmbyllur me 24 vrasje. Po ashtu edhe te numri i grabitjeve e kemi një ngritje të lehtë”, ka theksuar ai. Maxhuni gjatë raportimit ka deklaruar se falë punës së PK-së ka pasur edhe rënie të vjedhjeve të rënda penale.
“Është me rëndësi të theksohet se falë punës që ka bërë PK kemi arritur që të kemi një rënie të dalluar të veprave penale. Numri i vjedhjeve po ashtu ka shënuar rënie, numri i vjedhjeve të rënda po ashtu ka shënuar rënie”, ka potencuar Maxhuni./Zeri